Kosova edhe këtë vit merr pjesë në garën më të madhe ndërkombëtare të robotikës, FIRST Global Challenge
13/09/2021Sikurse edhe viteve të kaluara, UBT ka nderin që edhe sivjet të përfaqësojë Kosovën në garën më të madhe ndërkombëtare në fushën e robotikës, FIRST Global Challenge, që për shkak të situatës aktuale me COVID-19 po mbahet në formën online.
Kosovën do ta përfaqësojnë, Elta Bajrami, Vlera Saraçi, Riona Krosa, Alba Ratkoceri dhe Mërgita Alija, të cilët nën mentorimin e Elita Hajrizit, janë duke u përgatitur dhe punuar në laboratorët e UBT-së.
Ekipi përfaqësues i shtetit të Kosovës do ta sfidojë vetën në mesin e të rinjve nga rreth 170 shtete të ndryshme të botës të cilët këtë vit, ndryshe nga garat e organizuara më herët po përdorin njohuritë kreative dhe teknologjinë për zgjidhjen e problemeve të ndryshme në komunitetin ku jetojnë ata.
Të rinjtë nga Kosova në fazën e parë të kësaj gare kanë ideuar dhe dizajnuar projektin për qasjen e barnave në mënyrën online, projekt ky shumë interesant dhe i nevojshëm për gjithë shoqërinë.
Projekti ‘E-Pharm” është barnatore digjitale, që përbën lehtësim në blerjen dhe dërgesën e barnave online për të gjithë personat e specifikisht për të moshuarit dhe personat në viset rurale.
Sipas ekipit përfaqësues nga Kosova, “E-Pharm” përbëhet nga të gjitha llojet e barnave, vitaminave, suplimenteve, të cilat lehtësisht mund të gjenden në barnatoren digjitale përmes faqes kryesore (home) të “E-Pharm”.
E veçanta e “E-pharm” është se dërgesa e çdo barne bëhet përmes postës apo droneve (për viset jo të përshtatshme për qasje), përderisa secila dërgesë është e shoqëruar me një përshkrim, ku përpos komponentëve të tyre gjenden dhe këshilla pasuese.
UBT e përfaqëson Kosovën në këtë garë tash e disa vite, ku përmes ekipit të përbërë nga studentë të UBT-së dhe nxënës të tjerë, bëhet përgatitja në mënyrë profesionale në laboratorët inovativ të mekatronikës.
Kujtojmë se nga kjo garë UBT është vlerësuar nga organizatorët dhe ka marrë medalje të artë për kontributin dhe mbështetjen që po jep institucioni për FIRST Global Challenge dhe për zhvillimin e STEM në botë (Science, Technology, Engineering and Mathematics).