Kolegji UBT ndihmon digjitalizimin e bibliotekës së qytetit të Vushtrrisë

26/07/2016

Rektori i Kolegjit UBT, prof. dr Edmond Hajrizi dhe dekani i fakultetit të Mekatronikës në Kolegjin UBT, prof. dr Muzafer Shala, janë pritur  në një takim pune nga Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku dhe drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS), Shpresa Rama.


Takimi është rezultat i marrëveshjes së Kolegjit UBT me Komunën e Vushtrrisë, respektivisht  DKRS-në, për ofrimin e ndihmës profesionale në digjitalizimin e bibliotekës së këtij qyteti.

Përfaqësuesit e Kolegjit UBT-së, po ashtu i kanë dhënë përkrahje kërkesës së kësaj komune, që studentët e Kolegjit UBT-së të jenë pjesë e garës për hartimin e projektit më të mirë ideor për rinovimin e Qendrës Kulturore “Hasan Prishtina”.

Në këtë takim, ndër të tjera, u bisedua për hartimin e strategjisë dhe planit zhvillimor të turizmit në Komunën e Vushtrrisë, i cili lidhet kryesisht me pasuritë e objekteve të trashëgimisë kulturore, për çka drejtuesit e UBT-së shprehën gatishmërinë e tyre për ndihmë.

 

Kryetari Mulaku ka falënderuar Kolegjin UBT për mbështetjen e projekteve të kësaj komune, të cilat po vijnë në jetë falë bashkëpunimit mes tyre.