Kolegji UBT mbajti ceremoninë diplomimit të gjeneratës së 12-të

09/07/2016

Dymbëdhjetë gjenerata të graduara në përvjetorin e 15-të të themelimit të Kolegjit UBT. Këtë bilanc, ky institucion i arsimit të lartë privat në Kosovë, e kurorëzoi të shtunën, në sallën “1 Tetori” të Prishtinës, ku mbajti ceremoninë e diplomimit. Në një ceremoni madhështore, me 500 studentë, që po gradoheshin, dhjetëra profesorë të Kolegjit UBT, mijëra prindër, që kishin ardhur për t’i kurorëzuar sukseset e fëmijëve të tyre dhe mysafirë nga Kosova e ndërkombëtarë, rektori i Kolegjit UBT, prof.Edmond Hajrizi, uroi studentët.

“Ky moment është prej më të veçantëve, jo vetëm për studentët që po diplomojnë, por edhe për Kolegjin UBT. Kjo për faktin se rezultati i sotëm rrjedh nga puna, përkushtimi dhe angazhimi i vazhdueshëm i studentëve dhe profesorëve”, ka thënë rektori Hajrizi, sipas të cilit Kolegji UBT nuk përpiqet të nxjerrë shumë të diplomuar, por të krijojë personalitete dhe njerëz kualitativë, që produktin e punës së tyre ta shfaqin në shoqëri.

Kolegji UBT nuk është vetëm diplomë, por është prestigj, sukses, cilësi dhe është krenaria e Kosovës. Mbi 98 për qind e të diplomuarve në Kolegjin UBT janë të sistemuar në tregun e punës. Të gjithë ju në këtë sallë meritoni falënderim dhe respekt të madh”, tha rektori. Studentët i uroi edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Qemal Minxhozi.

“Asnjëherë në jetën time nuk kam parë një ambient kaq madhështor e të gëzueshëm, jo vetëm për studentët, por edhe për ne, sepse sot po diplomojnë 500 studentë në Kosovën e lirë”, tha ambasadori Minxhozi. Ai u ka thënë studentëve se e kanë marrë rrugën për ta bërë Kosovën një vend më të begatë dhe më të mirë. Ka thënë se është i impresionuar që mbi 50 % e të diplomuarve janë vajza, sidomos në drejtimet e menaxhimit.

“Ju që po diplomoni duhet t’i kenë tri objektiva kryesore. E para, nuk duhet ta çoni mundin e prindërve kot. E dyta, mundin e profesorëve dhe fakultetit, dhe e treta, duhet t’i shërbeni fort Kosovës, e cila tani ka nevojë për ju më tepër se kurrë”, përfundoi ai.

Profesori ndërkombëtar i IBK Management Solutions, Andreas Dallegue, tha ndërkaq se para disa viteve ka bërë një trajnim për menaxherët e Kolegjit UBT dhe të universiteteve tjera në Kosovë, mirëpo sipas tij, “Kolegji UBT ishte e vetmja që arriti ta dëshmonte se sa shpejtë ishte në gjendje të përparonte”. “Në Kolegjin UBT ishin më të mirët dhe u njohën për ekselencë. Përderisa universiteteve të tjera iu deshën 5-10 vjet për t’i arritur objektivat tona, Kolegji UBT arriti që t’i përmbushë për dy vjet e gjysmë”, tha ai, me konstatimin se sa herë që vjen në Kosovë e sheh Kolegjin UBT me ndërtime të reja.

Në vijim studentët kanë dhënë betimin akademik, janë pajisur me certifikata, kurse studentët më të dalluar, Florian Pirraj dhe Jonida Xhemaj, kanë uruar gjeneratën për sukseset dhe kanë treguar për mundësitë e mirë që i ofron Kolegji UBT për studim. 

Gjatë ceremonisë, të pranishmit i ka argëtuar këngëtari i mirënjohur Yll Limani, kurse kulmi i ceremonisë ka qenë kur studentët, me plot vrull, kanë hedhur kapelat studentore përpjetë, që është një traditë në këso ngjarjesh.