Kolegji ESLG i bashkohet UBT-së
16/08/2019UBT vazhdon të mbetet i vetmi institucion në rajon i vlerësuar me pesë yje të ekselencës nga Këshilli i Ekselencës botërore, konkretisht nga Organizata për Menaxhimin e Cilësisë (EFQM), i cili ekspertizat dhe inovacionet po i zgjeron si rrafshin vendor, po ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Në këtë vazhdë, tani standardet cilësore ndërkombëtare të UBT-së do të ofrohen edhe në Kolegjin ESLG, pasi ky institucion i është bashkuar UBT-së.
Tash e tutje, profesorët vendorë e ndërkombëtarë të UBT-së, do të jenë të pranishëm në këtë institucion ku do të aplikojnë praktikat më të mira të studimit, ndërkaq studentët në këtë institucion mund të studiojnë nivelin bachelor në Fakultetin Juridik, si dhe nivelin master në Fakultetin Menaxhimi i Patundshmërive dhe Infrastrukturë.
Këto programe ofrohen në bashkëpunim me shtetin e Sllovenisë, konkretisht me New University nga Lubjana, partneritet i cili tashmë hyn në listën e 450 marrëveshjeve të bashkëpunimit që ka UBT-ja me universitetet botërore.
Zgjerimi nëpër qendra të ndryshme në qytetet më të mëdha të Kosovës dhe jo vetëm, dëshmon që UBT ka për qëllim që të jetë sa më afër studentëve në mënyrë që ata të përgatiten profesionalisht nga institucioni i cili është prijës i inovacioneve në mbarë trojet shqiptare.
UBT është institucioni me më së shumti programe studimi të akredituara në Kosovë dhe më së shumti specializime në vend, ku tashmë është bërë edhe institucioni i vetëm me më së shumti kampuse inovative dhe qendra në vend.
UBT ka Kampusin Inovativ në Lipjan, si dhe qendrat e veta të akredituara dhe të licencuara edhe në Prishtinë, Ferizaj, Prizren, Pejë, Gjilan, Tiranë, Vjenë dhe Budapest.