KAEF mban sesion informues për bursa për studentët e UBT-së

24/05/2018

Drejtori i Zyrës së Fondit Kosovar Amerikan të Arsimit (KAEF), Gjeni Shporta, për studentët e UBT-së ka mbajtur sesion informues për prezantimin e programit të bursave për nivelin master.

Shporta i njoftoi studentët me mundësitë e përfitimit të bursave, me procesin e aplikimit dhe afatet kohore, me mënyrën e përgatitjes së dokumenteve dhe me atë se çka duhet të përmbajë eseja, testi GRE dhe GMAT, testi TOEFL, letrat e referencave etj., elemente këto që janë të domosdoshme për të pasur një aplikim të vlefshëm..
Tutje, ai tregoi edhe për mënyrën e përzgjedhjes së finalistëve dhe pikët e referuara në testet e standardizuara, për vlerën e bursës, si dhe për mënyrën se si përzgjidhen universitetet në SHBA.

Shporta tha se krahas studimeve, studentët bursistë kanë mundësi edhe për të kryer punë praktike në vendet ku studiojnë.

Kosovo American Education Fund (KAEF) është një fond i vazhdueshëm i edukimit, i cili është i dedikuar të kontribuojë në zhvillimin ekonomik afatgjatë të Kosovës përmes edukimit.
KAEF-i ofron bursa të plota të nivelit master për kosovarët, me qëllim që ata të shkollohen në universitete të ndryshme amerikane.