Ka vazhduar aktivitetin Akadamia Verore e Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinieri
03/08/2020Akademia Verore e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinieri ka vazhduar aktivitetin e saj, në kuadër të festivalit “Global UBT FEST 2020”, që UBT po organizon për studentët në mënyrë virtuale. Profesori Yll Haxhimusa ka shtjelluar rreth intelegjencës artificiale që është njëra prej teknologjive më atraktive, më sfiduese dhe më shpresëdhënëse në zgjedhjen e disa prej problemeve më urgjente të jetës njerëzore. Ai njoftoi studentët lidhur me tërmat, konceptet themelore, si dhe metodologjitë kryesore nga intelegjenca artificiale. U prezantuan edhe shumë aplikacione ku kjo teknologji është përdorur në mënyrë të suksesshme.
Nga ana tjetër, drejtuesi ekzekutiv i kompanisë Manaferra, Faton Sopa, mbajti ligjëratën për zhvillim të karrierës në Search Engine Optimization, ku me këtë rast ai ligjeroi për mundësitë për karrierë në kuadër të Marketingut Digjital, më konkretisht në kuadër të Search Engine Optimization. U diskutua për mënyrën se si funksionon kjo fushë, arsyen pse duhet ndjekur një karrierë në të, si dhe rolet e mundshme.
Ndërkaq, ligjëruesi Shkëlqim Berisha, për herë të parë në Kosovë mbajti ligjëratë mbi teknikat e social engineering. Ai prezantoi në formë interaktive dhe me shembuj disa prej sulmeve kibernetike më të përhapura që vijnë si pasojë e social engineering. Janë diskutuar trendi në rritje i sulmeve, humbjet financiare, si dhe është shqyrtuar ndikimi i pandemisë COVID-19.
Akademia Verore e programit të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhineri, ditëve të ardhshme do të vazhdojë me ligjërata dhe aktivitete, në mënyrë interaktive, përmes platformës virtuale që UBT ka mundësuar për studentët dhe pjesëmarrësit e tjerë.