Jonida Xhema: Konferenca Verore Studentore MBE 2015 motivacion për të ardhmen tonë akademike e shkencore

27/07/2015

Me përfundimin e vitit akademik, në UBT nuk bie ritmi i punës dhe aktiviteteve të mësimdhënësve dhe të studentëve. Akademitë verore, konferencat verore të studentëve, ekspozitat e aktivitete të tjera që zhvillohen u shërbejnë studentëve për të marrë dije e njohuri të reja. Për të më shumë, edhe për të paraqitur idetë e tyre risimtare, që në UBT gjithmonë mirëpriten dhe përkrahen.

 

Studentja e vitit të dytë në Fakultetin e Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë në UBT, Jonida Xhema ka qenë pjesëmarrësve aktive në këto aktivitete. Ajo paraqet përshtypjet e saj nga Konferenca Verore Studentore MBE 2015.

 

Ka shumë gjëra për të thënë nëse flitet për Konferencën Studentore Verore në MBE 2015. Edhe pse  kjo ngjarje është organizuar për herë të parë në këtë format në MBE, rezultati ishte shumë i kënaqshëm. Konferenca ka qenë e mbushur me njerëz shumë punëtorë dhe kreativë. Ishte një ngjarje që do të mbahet mend, duke filluar nga studentët pjesëmarrës që kishin qëndrim sikur prezantonin me dekada të tëra, e duke vazhduar tek stafi vlerësues i profesorëve, të cilët vlerësonin anët pozitive dhe negative të çdo prezantimi me qëllim që pjesëmarrësit të përmirësoheshin vazhdimisht. Pjesëmarrësit kanë mësuar shumë nga folësit, temat e ndryshme si dhe nga stafi vlerësues duke ndarë eksperienca të ndryshme së bashku. Ka qenë një ngjarje të cilën nuk e kam imagjinuar më parë si dhe jam mjaft e lumtur që kam qenë pjesëmarrëse dhe njëkohësisht organizatore e kësaj Konference Studentore Verore.

 

Së pari, ajo që më pëlqeu më shumë nga kjo ngjarje ishte se prezantimet ishin të shtrira në lëmi të ndryshme. Kishte lidhshmëri në mes të Biznesit, Menaxhmentit, Ekonomisë, Operacioneve, Marketingut, Të folurit Publik dhe Afarist, si dhe fusha të tjera të lidhura me dije dhe me inovacion. Kjo u mundësoi shumë studentëve njohuri të reja në fusha të cilat disa ende nuk i kishin studiuar. Po ashtu kjo shtrirje e gjerë e temave bëri që pjesëmarrësit të jenë mjaft të interesuar për atë që flitej. Diçka shumë e rëndësishme që studentët absorbuan ishte se duhet të kemi njohuri të përgjithshme në lëmi të ndryshme të cilat do të na ndihmojnë në drejtimin të cilin e kemi zgjedhur. Pra, kishte aq shumë pasuri të informacionit që na rrethonte në këtë Konferencë Verore me anë të një bashkëpunimi të shkëlqyer dhe studimit që ndodhte në një orë të thjeshtë.

 

Së dyti, diçka shumë e rëndësishme nga kjo Konferencë Verore ishte që studentët pjesëmarrës ishin të gjeneratave të ndryshme, gjë që mundësoi që secili të transmetojë përvojën e tij në mënyrë të ndryshme. Duke marrë parasysh profilet e ndryshme të studentëve, mund të themi se u krijuan rrjete të reja të shoqërisë, u zhvilluan aftësitë në komunikim, si dhe përmirësuam aftësitë ndërpersonale. Përvojat e ndryshme të shprehura me anë të komunikimit mundësuan që të krijohet një atmosferë e familjarizuar, e kjo bëri që studentët të prezantonin lirshëm. Pjesëmarrësit dukej sikur kishin shumë kohë që prezantonin por në fakt kjo ishte Konferenca e parë Verore Studentore. Pra, kishte shumë informacion për t’u pranuar nga studentët dhe vlerësuar nga profesorët, por profilet dhe përvojat e ndryshme të shprehura në një mënyrë të thjeshtë e bëri këtë Konferencë Verore një ambient mjaft të familjarizuar.

 

Së treti, nuk duhet harruar stafin vlerësues të profesorëve të cilët vazhdimisht procesonin informatat që studentët prezantonin duke u munduar që vlerësimet të jenë në një mënyrë sa më efikase. Vlerësimet fillonin nga anët pozitive të prezantimeve e duke vazhduar tek sugjerimet e ndryshme që mundësonin që pjesëmarrësit të përmirësoheshin në të ardhmen. Po ashtu nuk duhet harruar se profesorët kishin kriteret e vlerësimit të cilat i ndiqnin vazhdimisht në mënyrë që vlerësimet të ishin sa më të drejta dhe më të sakta. Diçka e rëndësishme ishte mënyra se si stafi vlerësues dëgjonte dhe analizonte çdo detaj të prezantimeve.

 

Gjithashtu mënyra se si sugjerimet ofroheshin në një mënyrë profesionale dhe njëkohësisht shumë të afërt, bëri që qëllimi i vlerësimeve si dhe këshillat e ndryshme të kuptohen dhe pranohen mjaft mirë nga studentët. Kishte shumë informacion për t’u procesuar por stafi vlerësues kishin një qasje mjaft të afërt me studentët që bëri që kjo Konferencë Verore të përfundojë me shumë efikasitet si dhe të transmetojë mesazhin e saj në mënyrën më të mirë të mundshme.

 

Përfundimisht, mund të themi se Konferenca Studentore Verore në MBE 2015 kishte për qëllim krijimin, procesimin si dhe vlerësimin e informacionit duke e kthyer atë në dije për të gjithë pjesëmarrësit. Ishte një ngjarje që përfshinte tema nga fusha të ndryshme, studentë me profile të ndryshme si dhe një staf vlerësues mjaft profesional që bëri që mesazhi i kësaj konference të transmetohet tek të gjithë studentët pjesëmarrës. Pra, këtë Konferencë Verore e rrethonin informacioni mjaft i pasur, bashkëpunimi i studentëve me profesorët si dhe krijimi i rrjeteve të reja të shoqërisë që bënin procesimin dhe vlerësimin e informacionit duke e kthyer atë në dije e cila ishte gjëja më e rëndësishme e kësaj Konference Verore.