Javë debatesh dhe konferencash të rëndësishme në UBT

02/11/2015

2 nëntor. – Tri konferenca dhe debate në tema të rëndësishme do të organizohen gjatë kësaj jave nga UBT.


Fillimisht, këtë të mërkurë do të organizohet konferenca ndërkombëtare “Dita Austriake-Kosovare e Arkitekturës 2015”.


Si një nga temat më me interes në një vend në zhvillim siç është Republika e Kosovës, Arkitektura është një fushë diskutimi që gjithmonë zgjon interesimin e publikut.


UBT ka ftuar në këtë konferencë përfaqësues nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përfaqësues të pushtetit lokal, të asociacioneve profesioniste të arkitekturës nga vendi dhe rajoni, dhe ekspertë të arkitekturës dhe studentë e të interesuar të tjerë.


Interes të veçantë paraqesin përvojat Austria në fushën e arkitekturës, të cilat do të prezantohen nga ekspertë dhe përfaqësues nga ky shtet.


Konferenca organizohet nga UBT dhe Shoqata Austriake-Kosovare.


Një ditë më vonë, të enjten, organizuar nga UBT dhe Shoqata Austriake-Kosovare, i zhvillon punimet konferenca ndërkombëtare, “Dita Austriake-Kosovare e Kadastrës 2015”, e cila do të trajtojë një temë shumë të veçantë dhe një fushë e cila nga viti 1999 e deri sot është ndër më delikatet dhe me mjaft interes për opinionin dhe profesionistët.


Konferenca gjithashtu do të ofrojë shembuj pozitivë, me theks të veçantë shembuj nga rregullimi i kësaj fushe në Austri.


Pjesëmarrës do të jenë ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës, udhëheqës të institucioneve që merrem me problemet e kadastrës, udhëheqës të asociacioneve të gjeodezisë, arkitekturës e kadastrës nga Kosova, Maqedonia e Kroacia, si dhe ekspertë nga vendi ynë dhe vende të rajonit.


Në fund të javës, më 6 e 7 nëntor, në Durrës të Shqipërisë i zhvillon punimet Konferenca e Katërt ndërkombëtare mbi Shkencat Kompjuterike dhe Inxhinierinë e Komunikacionit.


Konferenca organizohet nga Fakulteti i Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë i UBT-së, në bashkëpunim me partnerët, Universitetin e Tiranës dhe Universitetin e Vlorës, si dhe një varg institucionesh të tjera.


Kjo konferencë tradicionale, në tri edicionet e deritashme, ka qenë konferenca më e madhe e organizuar, me pjesëmarrje të mbi 200 referuesve nga fusha të ndryshme të diskutimit.


Gjatë dy ditëve të konferencës do të paraqiten hulumtime shkencore dhe do të zhvillohen debate në një varg temash:

 

Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri e Komunikimi; Efiçienca e energjisë; Menaxhim, Biznes dhe Ekonomi, Mekatronikë, Inxhinieri të Sistemit dhe Robotikë; Sisteme të Informacionit dhe Siguri, Arkitekturë – planifikim hapësinor dhe inxhinieri civile; Inxhinieri, infrastrukturë dhe mjedis; Drejtësi; Shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtar; Media dhe komunikim, si dhe një varg temash të tjera.