Ish-studenti i UBT-së publikon libër në fushën e arkitekturës
12/03/2018Ish-studenti i UBT-së në Fakultetin e Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, Albert Mustafa, është autori i librit më të ri në fushën e arkitekturës.
Libri “Dimensioni i përjetimit dhe perceptimit në arkitekturë”, botimi i së cilit është bërë nga Shtëpia Botuese “DITURIA”, në Tiranë, është vlerësuar lartë nga ekspertët e kësaj fushe.
“Kur arkitektura kërkon emocionin dhe perceptimin shpirtëror, lind një libër interesant, i vlefshëm dhe me një këndvështrim origjinal, si libri “Dimensioni i përjetimit dhe perceptimit në arkitekturë”, me autor Albert Mustafa.”, kështu shprehet Shtëpia Botuese e librit, me rastin e publikimit të tij.
Përshkrimi i librit:
Trajtimi i arkitekturës në dimension më tepër shpirtëror e emocional, siç është dimensioni i përjetimit dhe perceptimit në arkitekturë, është thelbi i këtij libri.
Hapësira arkitektonike dhe mënyra se si e perceptojmë atë, si dhe përjetimi i kësaj hapësire, janë indikatorë të fuqishëm në jetën e njeriut. Prandaj, këto dy çështje janë trajtuar jo vetëm në rrafshin arkitektonik, por edhe në atë filozofik, psikologjik e emocional.
Çfarë është perceptimi si dukuri, psikologjia e perceptimit dhe emocionit, gjuha shprehëse e arkitekturës, dimensioni njerëzor në arkitekturë, mekanizmat për perceptimin e hapësirës, elementet frymëzuese në një hapësirë arkitektonike, si dhe arkitektura si burim kënaqësie, janë disa nga këndvështrimet që trajtohen në këtë libër.
Shembujt e përdorur synojnë të mbështesin dhe pasqyrojnë pjesën filozofike dhe teorike të problemit, në mënyrë që thelbi i çështjes të përcillet te lexuesi, sidomos te studentët e arkitekturës, për arsye se reflektimi nga ana e tyre do të ishte i rëndësishëm, në mënyrë që ky të jetë fillimi i një fundi ku arkitektura bëhej më së paku për njeriun dhe për ndjenjat e tij, duke u kthyer në një fillim ku arkitektura do të shihet si një instrument që tenton të arrij ndjenjat më të thella njerëzore.