Ish-studenti Blendi Lleshi, përfitues i bursës “Stipendium Hungaricum”

11/07/2019

Pak vite më parë ndoqi studimet themelore në UBT, ndërkaq tani, Blendi Lleshi është përfitues i bursës “Stipendium Hungaricum”, falë të cilës do të ndjekë studimet në Szent István University, në Fakultetin e Arkitekturës dhe Inxhinierisë Ndërtimore.

 

Ai do të fillojë studimet e nivelit master atje që nga shtatori i këtij viti, teksa tregoi procedurat nëpër të cilat ka kaluar për të qenë përfitues i kësaj burse.

“Ambasada e Hungarisë në Kosovë ka hapur këtë konkurs gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar, bursat kanë qenë për nivelin bachelor, master dhe PhD, për vitin akademik 2019-2020. Fitues potencialë të këtyre bursave kemi qenë 50 studentë, njëri ndër ta edhe unë. Kanë qenë procedura të njëpasnjëshme, si fillim aplikimi online, me pas nominimi nga shteti ynë Kosova, si dhe sistemi i intervistave dhe testimeve, të cilat i kam përfunduar me shumë sukses, për çka edhe tash jam bursist”, tregoi Blendi.

 

Ai e çmon periudhën e kaluar si student në UBT dhe thotë se ajo kohë ishte më e bukura e jetës së tij.

“Niveli arsimor ka qenë në një nivel tjetër, stafi akademik ka qenë i përkushtuar tej mase ndaj neve, gjë që ka rezultuar vetëm sukses tek ne, aq sa edhe mundësia për t’u qasur në tregun ka qenë  e lehtë për ne si fillestarë. Prandaj, unë ua rekomandoj të gjithëve UBT-në”, vlerësoi Blendi.

 

Blendi Lleshi është vetëm një nga qindra studentë të UBT-së, të cilët gjatë dhe pas përfundimit të studimeve në UBT, janë bërë pjesë e universiteteve më prestigjioze evropiane, duke qenë plotësisht të përgatitur për të vijuar studimet atje, si rezultat i përgatitjes profesionale të lartë që e marrin në UBT.