Inxhinieri Robert Kote në UBT tregon historinë e themelimit dhe ndërtimit të Muzeut “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”
26/04/2018Ngjarja “Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut”, i bëri bashkë në bashkëbisedim studentët e Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor të UBT-së dhe inxhinierin përgjegjës për ndërtimin e Muzeut të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”, në Krujë, Robert Kote.
Në mes rrëfimit mbi procedurat e komplikuara të ndërtimit të muzeut, inxhinieri Kote shpalosi edhe kujtime të shumta përgjatë gjithë atyre viteve sa zgjati finalizimi i projektit.
Në ligjëratën e mbajtur për studentë, ai tregoi se ky muze e ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut, dhe për të njëjtin, si arkitektë punuan Pirro Vaso dhe Pranvera Hoxha.
“Në këtë muze janë të ekspozuara shumë objekte, dokumente, bibliografi origjinale, riprodhime autentike, të cilat grumbullojnë historinë e popullit shqiptar, sidomos prej shek. XV e tutje”, tha Kote.
Krahas punës së bërë në këtë muze, ai shpërfaqi edhe shumë detaje mbi njerëzit që punuan, punët që u kryen dhe vështirësitë e sfidat që u dolën përballë, për të krijuar si rezultat një muze i cili sot është ndër më të vizituarit në trojet shqiptare.
Takimi me studentë përfundoi me hapjen e ekspozitës me fotografi, të cilat u vendosën në Kampusin Inovatin të UBT-së, në Lipjan.
Fotografitë e ekspozuara janë të njëjta me ato të cilat janë të ekspozuara edhe në Muzeun “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, të pikturuara me dorë nga piktorë të njohur të kohës.
Për shkak të rëndësisë së temës dhe pamjes së fotografive, aktiviteti ngjalli vëmendjen e dhjetëra arkitektëve të rinj të UBT-së.