Interesim i madh i pjesëmarrësve për të diskutuar mbi sigurinë e të dhënave personale dhe kriptovalutat

19/07/2018

Akademia e fushës Ekonomiks, Financa, Bankim dhe Sigurime, në ditën e dytë të aktivitetit të vet, ka zgjuar interesim të madh në mesin e pjesëmarrësve, të cilët dëgjuan ligjërata mbi sigurinë e të dhënave personale dhe për kriptovalutat, si monedha që janë përhapur e po përdoren pothuajsenë gjithë botën.

Aktiviteti nisi me ekspertin për mbrojtjen e të dhënave, njëherësh edhe ligjërues në UBT, Blerton Abazi, i cili ligjëroi për temën “GDPR – implementimi në vendet joanëtare të BE-së dhe impakti financiar në organizata”.
Ai shtjelloi rregulloren e GDPR-it, duke filluar nga mbledhja e të dhënave personale, pastaj përgjegjësia për sigurimin e tyre dhe reagimi në rast të manipulimit të tyre.

Këshilltari financiar, Kreshnik Ahmeti mbajti ligjëratë më temë “A janë kriptovalutat zgjidhje për problemet aktuale të ekonomisë?”, në të cilën me theks të veçantë shpjegoi ndikimin e monedhave digjitale në fushën e ekonomisë dhe mënyrat e përdorimit të tyre për përmirësimin e kësaj fushe.

Aktivitetet e Akademisë do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme nga ora 17:30, me tema dhe ligjërues të tjerë nga sektori e ekonomisë.