Instituti i Medias i Kosovës dhe UBT organizuan debatin “Liria e shprehjes në mediet e Kosovës”

04/05/2015

Prishtinë, 3 maj. – Organizuar nga Instituti i Medias i Kosovës, me përkrahjen e UBT-së dhe Ambasadës së Norvegjisë në Kosovë, në shënim të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, u organizua diskutimi në temën “Liria e shprehjes në mediet e Kosovës”.

Rektori i UBT-së, dr. Edmond Hajrizi në fjalën e tij u fokusua te tri çështjet kryesore, të cilat janë shtruar për trajtim në shënimin e sivjetmë të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit.

 

“Pika e parë ka të bëjë me cilësinë e mediave. Cilësia është tërësia e atributeve të informacionit apo lajmit për t’i plotësuar kërkesat apo nevojat e klientit, kriteret apo standardet. Shtrohet pyetja kush është klienti, çfarë kërkesash ka ai klient dhe si definohen në këtë rast. Është mjaft vështirë të përcaktohet momenti i zgjedhjes së atij lajmi, atij informacioni për t’ia plotësuar nevojat, për t’ia rritur vlerën kërkesës që vjen nga klienti. Në këtë rast këtu ka një përgjegjësi më të madhe, sepse çdo informacion dhe lajm shkon nga mediat tek qytetari. Në këtë rast përgjegjësia nuk ka të bëjë tek aspekti politik, aspektet njerëzore dhe shumë elemente të tjera”, theksoi dr. Hajrizi.

 

“Është një kompleksitet dhe prioritet, sfidë mjaft e madhe për ta përcaktuar cilësinë e lajmit dhe të informacionit në përgjegjësi. Natyrisht mendoj që në të ardhmen do të ketë edhe më shumë kërkesa, nevoja, që institucionet e mediave të krijojnë edhe sisteme të vetat të brendshme të menaxhimit të cilësisë, ku ndërlidhet edhe cilësia e shkrimit dhe cilësia e koordinimit të pikave për të gjeneruar vlera edhe më të mëdha në këtë pjesë”, tha Hajrizi.

 

Në vijim ai u fokusua te përfshirja e femrave në media, duke theksuar se në vendin tonë ka një numër femrash që udhëheqin ndërmarrje mediale, si dhe që kanë pozita të rëndësishme në media. Ai gjithashtu përmendi se në Fakultetin për Media dhe Komunikim në UBT ka një numër të theksuar të studenteve, që mëtojnë të përparojnë në profesion.

 

Më tej ai foli për mbrojtjen digjitale, si një pikë me mjaft rëndësi për punën e gazetarëve, duke pasur parasysh zhvillimet teknologjike. “Është një temë shumë e rëndësishme për të ardhmen, sepse ju e dini që zhvillimi teknologjik po merr hapa shumë të mëdhenj dhe në dhjetë vitet e ardhme do të ketë zhvillim edhe më të madh sesa që mendojmë. Po ashtu, do të jetë një sfidë e mediave se si do të pozicionohen në këtë ndryshim të madh digjital. Është edhe një element, siguria kibernetike dhe privatësia janë një element shtesë që i shtohet informacionit. Ne kemi ligjet që shtojnë këtë rregull. Gazetari dhe mediumi duhet të kenë kujdes, të shtojnë bilancin midis privatësisë së asaj që është kërkesë e publikut. Njëkohësisht, mendoj që me ndryshimet e tilla kemi po ashtu një sfidë të përcaktimit të kompetencës të gazetarit të së ardhmes se si do të jetë gazetari i së ardhmes, çfarë kompetencash duhet të ketë, për ta ushtruar më shumë profesionin e vet”, theksoi dr.Hajrizi, duke shtuar se UBT po punon në këtë drejtim në përkrahje të gjeneratave të reja.

Fazli Veliu, udhëheqës i Institutit të Medias të Kosovës, në fjalën e tij u fokusua në problemet me të cilat përballen mediat dhe gazetarët në Kosovë.

 

Në bazë të një këndvështrimi të përgjithshëm të lirisë së shprehjes, gjendja në mediat e Kosovës mbetet brengosëse, për faktin se gazetarët edhe pas 15 viteve të pasluftës ende ndjehen të kërcënuar fizikisht e të shantazhuar në forma të ndryshme. Këtë e pohon edhe raporti i i fundit i Organizatës “Freedom Hosue”, ku Kosova renditet në vendin e 100 për sa i përket lirisë së shprehjes, i cili raport për ne si institut ka qenë i pritur”, tha Veliu.

 

“Çdo temë që bëhet për mediume zbardh realitetin në Kosovë, si korrupsionin, mashtrimet, haraçin, shantazhet etj., që janë të lidhura me politikanë të shumtë, të cilët janë në pozita apo kanë qenë në pozita. Si pasoj e ndjeshmërisë së temave të trajtuara shpeshherë gazetarët janë kërcënuar, nuk ju është dhënë e drejta e marrjes së informacionit nga ana e vartësve të x politikanit. Për këtë arsye edhe mungojnë temat hulumtuese në masë të madhe. Po ashtu, gazetarët po goditen edhe nga shoqëria civile, siç e kemi pasur rastin në protestat e partive opozitare ku sulmohet gazetari apo edhe sulmi në vendin e punës ndaj njërit nga gazetarët e Klan Kosovës. Kjo është mjaft shqetësuese dhe duhet t’i jepet fund kësaj dukurie sepse Kosovën nuk e çon askund kjo qasje ndaj gazetarëve”, tha Veliu.

“Nga këtu ju bëj apel politikëbërësve dhe shoqërisë civile të na lënë të punojmë të lirë, sepse vetëm kështu ndërtohet shteti me vlera demokratike. Po ashtu, ju bëjmë thirrje institucioneve që t’i hetojnë kërcënimet ndaj gazetarëve dhe duke i bërë apel Kuvendit të Kosovës që të dalë në mbrojtje të lirisë së shprehjes, duke i rishikuar dispozitat e diskutueshme të ligjeve të Kosovës. Korniza ligjore dhe organet që ndërlidhen me mediat mëtojnë të mbrojnë integritetin e gazetarëve dhe mediave nga ndërhyrja politike dhe interesat e pronësisë, duke kontribuar kështu në raportim të lirë, etik dhe profesional. Transparenca rreth pronësisë së medias në Kosovë ende mbetet një sfidë, ndonëse pronarët e medieve janë kryesisht të njohur”, tha në vijim Veliu. 

 

Ai theksoi se liria e medieve në Kosovë vazhdon të jetë debatit i pambyllur i publikut. Edhe pse ka pasur gatishmëri të institucioneve publike për t’u përballur me sfidat në lidhje me lirinë e shprehjes në mediat e Kosovës, realiteti është i pandryshuar, gazetarët vazhdojnë të jenë të kërcënuar. Përkundër angazhimit të Policisë dhe gjyqësisë në Kosovë, të cilët merren me ndjekjen e akteve të dhunës ndaj gazetareve, situata nuk ka ndryshuar shumë, ende shumë lëndë që kanë të bëjnë me dhunën ndaj gazetarëve në Kosovë mbeten në sirtarët e organeve të sundimit të ligjit. Ndërkohë që gazetarët, mediat dhe organizatat e shoqërisë civile së bashku e theksojnë mungesën e zbatimit të Ligjit për qasje në dokumente publike. 

Gazetaria në Kosovë ende mbetet e nënshtruar ndaj kërcënimeve dhe dhunës, duke u nisur nga fakti se në Kosovë në periudhën njëvjeçare janë penguar sulmuar apo kërcuar mbi 12 gazetare, theksoi në fund Fazli Veliu.

Para të pranishmëve foli edhe ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jan Braathu, shteti i të cilit u tha se ka përkrahur mjaft shumë zhvillimin e medias në Kosovë.

 

“Roli i mediave në Kosovë në këtë vend i cili është në tranzicion është shumë i rëndësishëm. Ju e dini më mirë se unë se, fatkeqësisht, Kosova, vendet e rajonit, edhe Shqipëria, nuk dallojnë shumë. Mediat duhet ta ruajnë vëmendjen dhe lidhjen mes shtetit dhe medias, kjo është një rrugë me dy kahe. Liria e medias është në progres, por është larg”, tha ambasadori Braathu. 

“Në Norvegji dhe në Skandinavi, politikanët nuk përgjigjen shumë, ndërsa në Kosovë janë vetëm politikanët ata që përgjigjen dhe mendoj se kjo do të ndryshojë në të ardhmen”, shtoi ai.

Z.Braathu tha se vendi dhe shoqëria duhet të udhëhiqen nga ligji dhe rregulloret dhe se të gjithë politikanët dhe shërbyesit civilë të përgjegjshëm duhet t’i ndjekin këto ligje dhe këto rregullore.

“Liria e mediave nuk është vetëm çështje e kornizës ligjore. Korniza ligjore është mirë e rregulluar por jo edhe implementimi i saj jo vetëm sa i përket mediave por edhe fushave të tjera”, shtoi ai.

Ambasadori përmendi disa përparësi që, sipas tij, i posedon Kosova. “Ka edhe shtete të tjera në rajon ku qeveritë janë shumë më aktive në kontrollimin e medias. Kosova është në pozitë më përparimtare krahasuar me fqinjët në jug dhe në veri të cilët tërësisht kontrollojnë mediat”, shtoi më tutje ai.

Sipas tij faktor tjetër i cili lidhet me lirinë e medias është edhe ekonomia, presioni ekonomik dhe financiar është shumë i madh. 

Ambasadori Braathu ndër të tjera përmendi edhe përparimin e internetit, që, sipas tij, ka pasur efekt të madh në medien tradicionale, siç njihej dikur. Media po ndryshon për të keq, njerëzit nuk blejnë më gazeta. Presioni për të fituar para dhe presioni për të pasur lajme kyçe është shumë i madh në Evropë.

 

“Nëse jemi vërtet demokratik duhet të kuptojmë dhe të mirëpresim punën dhe pyetjet dhe kritikat, nëse vërtet duam të kemi shoqëri demokratike. Ndonjëherë është shumë nxitëse që të përgjigjesh në pyetjet e disa mediave, ishte një ambasador i kaluar këtu i cili ra pre e këtij nxitimi”, theksoi ndër të tjera ambasadori Jan Braathu.

Publicisti Nexhmedin Spahiu shtoi problemin e përqendrimit të medies vetëm në Prishtinë, që sipas tij nuk është e shëndetshme. 

Ai theksoi se dhuna ndaj gazetarëve shumëfish është më e madhe jashtë Prishtinës.

Spahiu gjithashtu shtroi edhe problemin që e kanë televizionet private në Kosovë, që janë të obliguara të paguajë taksë vjetore në vlerë rreth 20 për qind të buxhetit të përgjithshëm.

Ai u ankua për konkurrencën e padrejtë, duke thënë se mediet e Shqipërisë dhe ato të Serbisë nuk paguajnë asnjë taksë dhe kjo s’është normale, sepse po na vendos në pozita të pabarabarta”.

Mufail Limani nga Radio Televizioni i Kosovës theksoi se për Televizionin Publik të Kosovës si  transmetues publik funksionon në bazë të një ligji dhe natyrisht se ka një status të veçantë, sepse edhe me ligj është i definuar si institucion i rëndësisë së veçantë.

 

Limani shtoi se kjo e bën punën më të ndërlikuar, shumë më të vështirë sesa në mediat e tjera. RTK nuk është kundërshtare e partive politike, por nuk ka pse të jetë as komponente e politikës, tha ai, duke shtuar se nuk e kanë për qëllim t’i japin të drejtë as njërës e as tjetrës palë por vetëm opinionit të publikut.

“Gazetarët tanë e kanë për detyrë që në lajmin që e transmetojnë në publik patjetër t’i marrin të dy palët, t’i respektojnë të drejtat dhe liritë e gjithsecilit”, theksoi z. Limani.

Si konkluzion ai tha se gazetarët nuk janë gjykatës, prokuror e as avokat, puna e tyre është që të raportojnë në mënyrë të ndershme.

Publicisti Halil Matoshi tha se në Kosovë përzihen liria e shprehjes dhe liria e shtypit. “Liria e shprehjes i takon qytetarit dhe i garantohet me Kushtetutë, kurse liria e shprehjes përfshin të drejtën për t’u shprehur, për të shpërndarë dhe për të marrë informacione, mendime dhe mesazhe të tjera, pa u penguar nga askush”, tha.

Liria e shtypit-medieve, sipas tij, i takon asaj që njihet si “fuqia e katërt”, shtypit të pavarur si ndërmjetësues mes publikut dhe pushtetit, si mjet në duart e publikut, për ta kontrolluar qeverisjen.

 

Dekani i Fakultetit për Media dhe Komunikim në UBT, dr. Belul  Beqaj theksoi se në Kosovë mungon drejtësia e medieve, gjë që po e bën medien politike. Përmes medieve janë sjellë shumë manipulime në opinionin publik, pikërisht për shkak të pozitës që mediet kanë, tha ai. 

Beqaj tha ndër të tjera se politikanët kanë tendencë t’i kontrollojnë mediet dhe gazetarët dhe kjo shkaktohet edhe nga niveli i ulët i vetëdijes qytetare. 

“Mënyra e bartjes së debateve po na bën të besojmë se media po ndikohet nga politika dhe nga bizneset”, ka pohuar ai, duke përmendur edhe vërejtje në ligjet, siç është Ligji për qasje në dokumente zyrtare. 

Beqaj tha se mediet nuk mund të jenë të hapura kur zyrtarët dhe partitë janë të mbyllura. 

“Definitivisht mediet në Kosovë nuk mund të jenë të hapura dhe pavarura kur janë  partitë dhe politikanët e mbyllur dhe të varur. Demokracia  në Kosovë nuk fillon nga  sovraniteti i qytetarit por nga  liderët politikë. Kjo ka shkaktuar botëkuptimin se  interesi i pushtetit është më i rëndësishëm se interesi publik”, tha ndër të tjera dr.Beqaj.

Gazmend Syla, drejtori i informacionit në Klan Kosova, përmendi sfidat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen gazetarët në ditët e sotme. 

Sipas tij të gjitha mediumet duhet ta kenë parasysh interesin publik, do të thotë të punosh e të raportosh për ata që të shikojnë dhe që presin lajm. 

“Janë me qindra njerëz që interesohen dhe kontaktojnë me neve, që kërkojnë lajme të verifikuara se ka po ndodh, për shkak se ne tentojmë gjatë gjithë kohës të jemi pranë tyre”, thotë z. Syla.

 

Redaktori i “Kohës Ditore”, Bekim Kupina tha se cenimi i lirisë së shtypit, përveç kërcënimeve, presionit e shantazhit, po ndodh edhe në forma më të sofistikuara, duke lejuar në mënyrë të kufizuar qasjen në dokumente, të cilat nuk janë të kategorizuara si sekrete; duke privuar mediet nga mundësia për të marrë një qëndrim zyrtar nga individë apo institucione dhe duke e reduktuar lirinë e shprehjes vetëm në kolumnet dhe opinionet e publikuara. 

 

Ndërsa Hevzi Ramadani, kryetar i Komisionit për Informim në Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi, foli për një varg problemesh specifike me të cilat takohen gazetarët dhe mediat në shqip në Luginë të Preshevës.

Pas fjalëve të panelistëve, u zhvillua një debat i gjerë rreth temës, me pjesëmarrje të gazetarëve të shumtë dhe përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme.