Ish-studenti i Mekatronikës në UBT, Bardh Rushiti punësohet si inxhinier i Inteligjencës Artificiale në Amerikë

07/07/2023

Në rrugën drejt suksesit, disa emra shkëlqejnë më shumë se të tjerët. Kjo falë mbështetjes dhe hapave të edukimit dhe arsimimit. Histori e një suksesi të jashtëzakonshëm është edhe ish-studenti i Fakultetit Inxhinieri e Mekatronikës në UBT, Bardh Rushiti, i cili dikur pa hezitim zgjodhi UBT-në për formësim profesional dhe akademik dhe sot na bën krenar me punësimin e tij si inxhinier i Vizionit Kompjuterik dhe Inteligjencës Artificiale në “Calvary Robotics” në Rochester të New York-ut.

Vendimin për të studiuar në UBT, Bardhi e bëri nga kurioziteti, përderisa gjeti një mjedis të stimulueshëm, një staf të përkushtuar dhe një kurrikulë të avancuar që i ka hapur dyert e njohurive dhe mundësive të shumta.

“Vendimi për të zgjedhur UBT-në para institucioneve të tjera u nxit nga kurioziteti im dhe etja për një përvojë mësimore të thellë dhe interaktive. UBT ishte i njohur për ndërlidhjen e fortë profesor-student. Atmosfera ishte inkurajuese. Kjo ishte thelbësore në zhvillimin e njohurive dhe në kultivimin e një mendësie kureshtare”, ka thënë ai.

Përkushtimi i Bardhit për të aplikuar dhe zgjeruar njohuritë e fituara në UBT në situata praktike është një provë e vërtetë e përgatitjes së shkëlqyeshme që ai ka marrë. Çdo projekt i ri është një sfidë e re, duke i shtyrë kufijtë e mundshëm në fushën e inteligjencës artificiale dhe robotikës. Ai është një dëshmi e vërtetë e cilësisë së lartë të arsimit të ofruar nga UBT dhe një frymëzim për studentët e tjerë që ende ndjekin ëndrrat e tyre në UBT.