“IG Alpbach Kosovo” njoftoi studentët për mundësinë e fitimit të bursave

13/03/2017

Organizata “IG Alpbach Kosovo” (Grupi Iniciativë Alpbach Kosova), të hënën mbajti sesion informues për studentët e UBT-së, me qëllim të informimit dhe të njoftimit të tyre me mundësitë e përfitimit të bursave, për pjesëmarrje në Forumin Evropian “Alpbach”, që do të mbahet më 16 gusht – 1 shtator, në Austri.

 

Udhëheqësi i kësaj organizate, Shkumbin Asllani tha se qëllimi i forumit “Alpbach” është që të mbledhë të rinj entuziastë dhe inovativë nga vende të ndryshme të botës, për të ndarë mes vete ide, qëllime, eksperienca dhe probleme të ndryshme, me të cilat përballen shtetet prej nga vijnë.

“Pjesëmarrja në këtë forum është mundësi e mirë për të rinjtë, të cilët duan të kontribuojnë në shoqëri dhe të jenë pjesë aktive e saj, është vend për adresimin e ideve dhe problemeve, me të cilat përballen vendet e ndryshme të botës, por edhe të marrin dhe të ndajnë përvoja me njerëz të ndryshëm nga e tërë bota”, theksoi ai.

 

Tutje, Asllani i informoi studentët për mënyrën e aplikimit, si dhe për kushtet që duhet plotësuar për përfitimin e bursave, që i ndanë organizata, të cilën ai e udhëheq.

“Dërgimi i CV-së, letra motivuese, përzgjedhja e seminareve, në të cilat dëshironi të merrni pjesë, pastaj transkripta e notave, njohuri të gjuhës angleze dhe plotësimi i formularit për aplikim, janë kushtet që duhet t’i përmbushë secili student, që dëshiron të jetë përfitues i bursës”, tregoi ai, teksa shtoi se ky organizim është epiqendër e diskutimeve dhe investimeve të Bashkimit Evropian.

 

Forumi Evropian “Alpbach”, çdo vit mbledh mbi 5000 të rinj dhe njerëz me ndikim, duke përfshirë, politikanë, udhëheqës, gjyqtarë etj., nga më shumë se 50 vende të ndryshme të botës, teksa tema e diskutimit do të jetë “Konflikti dhe bashkëpunimi”, kurse për studentët që duan të jenë pjesë, ndahen rreth 700 bursa për pjesëmarrje.

 

UBT ka marrëveshje bashkëpunimi me organizatën “IG Alpbach Kosova”, pjesë e rrjetit të organizatave të Forumit Evropian “Alpbach”, teksa në vitin e kaluar, këtë bursë e kanë fituar 3 studente të UBT-së.