Hekuran Popaj: Mjafton vullneti dhe dëshira, suksesi arrihet në UBT

15/05/2015

“Në UBT diploma ka vlerë shumë, por rëndësi të madhe ka dija dhe njohuritë që studenti i përfiton gjatë kohës së studimit në UBT. Besoj se përgjatë studimeve kam arritur ta njohë shumë mirë fushën e ekonomisë duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me ligjëruesit e UBT-së”, thotë Hekuran Popaj, i diplomuar në MBE në UBT dhe që vazhdon studimet master në të njëjtin drejtim

 

UBT Alumni: Si keni vendosur të studioni në UBT?

Popaj: Në kohën sa isha maturant, sfida kryesore me të cilën përballesha ishte se ku do të orientohesha për studime bachelor. Kisha mundësi që si nxënës i shkëlqyer i Kolegjit “Mehmet Akif”, të përfitoja bursa jashtë vendit, në shtete si Shqipëria, Maqedonia, Turqia, Zvicra etj. Pasi isha afër të përzgjidhja njërën nga këto vende, dëgjova se kishte një Universitet në Prishtinë, i cili ishte ndër më të mirët në vend. Pas vizitës që bëra në UBT, në atë kohë pashë kushtet fizike të institucionit dhe mora informacione bazë për regjistrim. Por çka realisht më bëri ta zgjedhja UBT, ishte emri i mirë dhe cilësia që e karakterizonte në publik. Kjo më bëri të ndihesha njëjtë si të studioja në Evropë e si në UBT, në Kosovë.

 

UBT Alumni: Cilat kanë qenë lëndët e juaja të preferuara?

Popaj: Gjatë studimeve në UBT në programin Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, kishte lëndë të ndryshme dhe shumë interesante. Disa nga to do t’i veçoja për nga kureshtja që më nxisnin për t’i studiuar. E ato ishin: Kontabiliteti Financiar dhe Menaxherial, Makro dhe Mikroekonomia, Metodat Statistikore, Menaxhimi Operacional etj. Ishte ndjenjë e mirë të jesh i suksesshëm në lëndë të ndryshme, duke pasur mundësi të marrësh më të mirën nga ligjëruesit e UBT-së, ku mundësohej një proaktivitet i shkëlqyer.

 

UBT Alumni: A mund të ndani me ne ndonjë ngjarje të rëndësishme nga periudha e studimeve?

Popaj: Përveç mundësisë për të studiuar në UBT në kushte të mira dhe të përshtatshme, kishte hapësira për të kontribuar edhe në shumë aktivitete shoqërore dhe akademike. Gjate tri viteve të studimeve në nivelin bachelor në UBT, kam pasur nderin dhe përgjegjësinë të jem përfaqësues i studenteve në të gjitha nivelet. Duke filluar nga lideri i grupit, pastaj i fakultetit MBE dhe deri te titulli President i Organizatës Studentore të UBT-së me të cilin krenohem dhe besoj që e kam ushtruar me sukses. 

Ishte privilegj i madh të përfaqësoja studentët më të mirë në vend, aq sa ishte detyrë e vështirë dhe përgjegjësi e lartë. Por, mbi të gjitha, ishte nder, të cilin e respektova dhe dhashë kontributin tim së bashku me të gjithë delegatët e zgjedhur në Organizatën Studentore të UBT-së.

Organizata ishte e orientuar në përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë në studime, përfaqësimin sa më të mirë të kërkesave të studentëve, organizimin e debateve mbi tema te ndryshme, organizimin e rekreacioneve dhe ahengjeve të vogla etj. Së bashku me delegatët e Organizatës së UBT-së punuam në këtë drejtim dhe përmbyllëm ciklin tonë të punës, i cili ishte njëvjeçar. Besoj që do të përmendemi për të mirë!

Gjatë gjithë kohës së studimeve arrita të shohë se sa Presidenti i UBT-së, z.Edmond Hajrizi bënte për studentët dhe punonte me ta në zhvillimin e mëtutjeshëm të Kolegjit. Kishim përkrahjen e vazhdueshme të tij si Organizatë dhe si studentë në përgjithësi.

 

UBT Alumni: Sa keni përfituar nga programet e studimit në UBT?

Popaj: UBT është zhvilluar shumë viteve të fundit. Kjo si arsye e mundësisë që jep për të studiuar në shumë fakultete. 

Në programin MBE, kam arritur të përfitoj njohuri të shumta dhe të jem në hap me

zhvillimet e kohës në ekonomi.

Shpresoj që të gjitha njohuritë e fushës ku kam studiuar t’i përdori me po aq sukses në praktikë sa kam pasur në aspektin teorik.

Duket lehtë të thuhet tani, por sakrifica të shumta ka përshkuar secili nga kolegët e mi dhe unë po ashtu që të arrijmë të diplomojmë në UBT.

Në UBT diploma ka vlerë shumë, por rëndësi të madhe ka dija dhe njohuritë që studenti i përfiton gjatë kohës së studimit në këtë institucion të lartë arsimor. Besoj se përgjatë studimeve kam arritur ta njohë shumë mirë fushën e ekonomisë duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me ligjëruesit e UBT-së.

 

UBT Alumni: A keni përfituar nga mundësitë që ofron UBT për udhëtime studimore, studime jashtë vendit përmes UBT-së, internship apo forma të tjera të angazhimit?

Popaj: Performanca e mirë në studimeve shpërblehej me bursa. Përgjatë tri viteve të studimit kam qenë përfitues i bursës më të madhe brenda UBT-së dhe nga UBT-ja, e cila ka qenë në shumë prej 25 për qind e shumës total të regjistrimit.

Nuk kam qenë përfitues i bursave jashtë vendit, pasi nuk kam aplikuar. Shkaku kryesor kanë qenë obligimet e punës dhe ato familjare.

 

UBT Alumni: Ju keni treguar rezultate shumë të mira gjatë studimeve. Si e keni arritur këtë?

Popaj: Me trendet çdoherë në lëvizje dhe ndryshimet e mëdha inovative në botë dhe në vendin tonë, vendosa t’i përcjell dhe të jem pjesë e zhvillimit të tyre.

Si fillim përcaktova drejtimin tim, aty ku e ndjeja veten më të fortë dhe ku mund të kontribuoja në të ardhmen.

Duke qenë që ekonomia është një ndër sektorët më të rëndësishëm të një shteti apo shoqërie, vendosa të studioja këtë drejtim. Zgjodha UBT-në, këtë institucion të arsimit të lartë për t’u specializuar në këtë fushë dhe për t’u zhvilluar si ekonomist.

Nëse zgjedh të studiosh diçka që do dhe diçka që e bën me shumë dëshirë, atëherë suksesi nuk do të mungojë. Kështu besoj unë.

Kam arritur të ambientohem shumë mirë në sistemin e edukimit në UBT, pasi që stafi akademik dhe menaxherial i këtij institucioni kanë arritur të jenë gjatë gjithë kohës në shërbimin e studentëve.

Po ashtu gjatë kohës së studimeve kam pasur mundësi të krijoj raporte të mira me

kolegë prej shumë fakulteteve të tjera.

Duke qenë i qartë në përcaktimin e vizionit dhe misionit tim, për arritjet e mia personale, besoj se pata mundësi të arrija, sukses pavarësisht pengesave që hasa gjate rrugës.

Mjafton vullneti dhe dëshira, suksesi arrihet në UBT!

 

UBT Alumni: Me çfarë jeni duke u marrë aktualisht?

Popaj: Pas përfundimit te studimeve bachelor në UBT, jam regjistruar për studime postdiplomike master në MBE dhe paralelisht kam filluar të punoj në kompaninë familjare si menaxher kryesor i Qendrës Tregtare, e cila gjendet në Xërxe të Rahovecit dhe është e vetmja në atë regjion.