Hana Qerimi, studentja ambicioze e UBT-së, ndërmarrëse e suksesshme

15/03/2017

Hana Qerimi është studente e UBT-së, e cila ka përfunduar suksesshëm studimet themelore në fakultetin për Menaxhim Biznesi dhe Administrim. Në kohën e studimeve në UBT, ajo ka punuar fillimisht në kompaninë “3CIS”, ku ka menaxhuar projekte dhe programe globale për afër 6 vjet.


Ajo sot është një nga ndërrmarrëset e reja në tregun e biznesit në Kosovë.  Rreth dy vjet më parë, Hana ka hapur “Shkollën Digjitale”,  që është institucion i akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve, si dhe është shkolla e parë e hapur në Prishtinë dhe Ferizaj, ku ofron kurse të teknologjisë informative për fëmijët e moshave të reja dhe që mbledh rreth 600 nxënës.


Sipas saj, planprogrami me të cilin funksionon kjo shkollë, është planprogram i përpiluar nga organizata “Code” si dhe “Massachusetts Institute of Technology”, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo theksoi se mbështetje të mirë dhe të vazhdueshme, kanë edhe nga korporatat si Microsoft dhe Google. 

“Është planprogram i dedikuar për mësimin e fëmijëve, i cili i plotëson të gjitha standardet e nevojshme, është inkuadruar si planprogram i rregullt në shkollat fillore të Amerikës dhe Britanisë së Madhe. Pas përfundimit të leksioneve teorike e praktike, në fund fëmijët certifikohen me titullin Junior Programmer”, ka bërë të ditur ajo.


Tutje ajo shtoi se nevoja për hapjen e kësaj shkolle, ka ardhur si rrjedhojë e mungesës së një planprogrami të tillë në shkollat fillore të Kosovës.

“Gjatë këtyre niveleve fëmijët mësojnë konceptet bazë të programimit dhe njohuri të përgjithshme të teknologjisë informative. Fëmijët mësojnë logjikën e koncepteve të programimit, si algoritmet, programet, ndërtimin e robotëve, aplikacioneve mobile, elektronike”, ka thënë ajo.

Derisa qëllimi kryesor i kësaj shkolle është zhvillimi i gjeneratave të reja në fushën e teknologjisë informative, si dhe zhvillimi i programeve teknologjike.