Fortesa Gashi, studente e UBT-së, zhvillon aplikacion për personat me shikim të dëmtuar përmes programit Erasmus+

18/09/2024

Fortesa Gashi, studente e shkencave kompjuterike dhe inxhinierisë në UBT, është një shembull frymëzues i suksesit akademik dhe përkushtimit ndaj inovacionit teknologjik. Në kuadër të studimeve të saj master, Fortesa zgjodhi një temë me një ndikim të thellë shoqëror: zhvillimin dhe analizën e një aplikacioni për një kategori të veçantë të nxënësve në rajon, atë të personave të verbër dhe me shikim të dëmtuar.

Përmes mbështetjes së UBT-së dhe mundësisë së ofruar nga programi Erasmus+, Fortesa pati mundësinë të ndjekë një semestër në Universitetin e Sapienzës në Itali. Pikërisht aty ajo arriti të zhvillojë aplikacionin, duke u bazuar në standardet më të fundit teknologjike dhe duke siguruar që ky projekt të ishte i përshtatshëm për nevojat e përdoruesve të saj të synuar.

Fortesa shprehet se ky projekt ka qenë një mundësi e jashtëzakonshme për të, jo vetëm për zhvillimin profesional dhe akademik, por edhe për të kontribuar në përmirësimin e jetës së nxënësve me nevoja të veçanta në rajon. Kjo arritje është një dëshmi e qartë e përkushtimit të UBT-së për të mbështetur inovacionin dhe zhvillimin e aftësive të studentëve të saj përmes projekteve ndërkombëtare si Erasmus+, duke mundësuar që idetë të bëhen realitet.