Folës të universiteteve botërore karakterizuan nisjen e edicionit të sivjetshëm të Akademisë Ndërkombëtare Verore të Inxhinierisë së Ndërtimit

15/07/2022

Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë, në kuadër të “Global UBT Fest 2022”, ka filluar zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme për edicionin e sivjetshëm, të përqendruar rreth temës kryesore: “Nga ndërtimtaria tradicionale tek ajo moderne”.

 

Hapja e këtij edicioni u bë nga dekani i Fakultetit Inxhinieri Ndërtimit dhe Infrastrukturë, Prof. Dr. Muhamet Ahmeti dhe prodekani, Prof. Dr. Visar Krelani, si dhe u bë prezantimi i Zyrës së Erasmus+ në Kosovë, nga përfaqësues të saj dhe prezantimi i stafit nga Universiteti i Rigas në Letoni dhe Universiteti i Algarve në Portugali.

 

Dekani i Ndërtimtarisë nga Universiteti i Algarves, Jorge Isidoro, zhvilloi një ligjëratë rreth temës: “Urbanizimi dhe hidrologjia: nga kërkimi në praktikë”, ndërsa dekani i Universitetit të Rigas, Martins Vilnitis, ligjëroi rreth temës: “Rëndësia e Ndërtimtarisë në zhvillimin e shoqërisë”.

 

Ndër të tjera, profesorë të Universitetit të Rigas zhvilluan ligjërata të ndryshme, si: Laura Vittola, e cila foli rreth temës: “3D Printing at Civil Engineering”, Linda Mezule, diskutoi rreth temës: “Water Engineering in Modern Era”, Lubova Sulakova, ligjëroi rreth temës: “Geomatics in Civil Engineering”, si dhe u bë prezantimi mbi aktivitetet shkencore në Universitetin Teknik të Rigas në Letoni dhe prezantimi rreth aktiviteteve shkencore në Universitetin Algarve në Portugali.

 

Në kuadër të aktiviteteve të ndryshme në këtë akademi u bë edhe hapja e “Ballkan Stone Day”, dhe prezantimi i projektit BKStone nga përgjegjësja e Zyrës së Projekteve në UBT, Elinda Krasniqi, e cila prezantoi qëllimin e projektit dhe kontributin e UBT-së në këtë projekt.

 

Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, në kuadër të “Global UBT Fest 2022”, u realizua edhe Panairi i Materialeve Ndërtimore, i organizuar nga Fakulteti Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë, në bashkëpunim me Fakultetin Shkencat e Ushqimit dhe Bioteknologji në UBT, Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor, Inxhinieri e Agrikulturës dhe Mjedisit, Qendrën e Karrierës, si dhe me Zyrën e Projekteve.