Filmi dokumentar “Mbijetesa dhe Shkolla” për herë të parë shfaqet në UBT

22/07/2022

Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan është shfaqur filmi dokumentar “Mbijetesa dhe Shkolla” me regji të Ilir Kabashit dhe skenar të Nuhi Bytyçit, në kuadër të Akademisë Ndërkombëtare Verore të Medias dhe Komunikimit.

 

Filmi dokumentar “Mbijetesa dhe Shkolla” deri tani është shfaqur në 20 shtete të botës, në 15 prej tyre ka rrëmbyer çmime ndërkombëtare, teksa për herë të parë në Kosovë është shfaqur në UBT, duke bërë bashkë shumë studentë, profesorë akademik dhe artistë vendorë.

 

“Mbijetesa dhe shkolla” është një tregim i bukur për një kohë të keqe. Një oazë paqeje në kohë lufte. Fjala është për një shkollë najloni të ndërtuar në malet e Berishës në Kosovë që kishte tubuar rreth 200 nxënës të fshatrave përreth. Në këtë shkollë kanë mbajtur mësim për disa muaj nxënësit e zhvendosur nga shtëpitë e tyre në kulmin e luftës në Kosovë.

 

E veçanta e këtij filmi dokumentar është se producenti dhe skenaristi i filmit, Nuhi Bytyçi si gazetar lufte e ka përjetuar dhe e ka aranzhuar xhirimin e shkollës së maleve në shtator të vitit 1998, pra në kohë reale. Dhe, qysh atëherë e ka nisur përgatitjen e skenarit për këtë film dokumentar, i cili u realizua pas më shumë se dy dekadave nga ngjarja e mbijetesës përmes dijes në malet e Kosovës.