Fillon me aktivitete të ndryshme Akademia Ndërkombëtare Verore e Sistemeve të Informacionit
15/07/2022Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit Sistemet e Informacionit në UBT, në kuadër të “Global UBT Fest 2022” ka filluar me zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme, të cilat kanë synim përgatitjen profesionale të studentëve dhe pjesëmarrësve të tjerë, përmes ekspertëve dhe profesionistëve të fushës.
Në kuadër të fillimit të kësaj akademie, themeluesi i kompanisë “Katrori ITS”, Fatos Fondaj, ka mbajtur një ligjëratë tematike lidhur me rëndësinë e sistemeve ERP dhe ndikimit të tyre në zhvillimin e biznesit, duke i njoftuar studentët dhe pjesëmarrësit e tjerë rreth proceseve të zhvillimit të sistemeve si dhe ndërlidhjes së kërkesave të biznesit me procesin e digjitalizimit.
Ndër të tjera, profesori Edon Maliqi, ka zhvilluar një ligjëratë me temën: “Spatial Data for your Lifestyle”, në fokus të së cilës ka pasur njohjen me shkencën dhe sistemet e informacionit gjeografik, si dhe pasqyrimin digjital dhe analizat e ndryshme gjeo-hapësinore, si dhe zhvillimin e aftësive për të planifikuar, dizajnuar, manipuluar, analizuar dhe mirëmbajtur sistemet e informacionit gjeografik.
Akademia Ndërkombëtare Verore e Sistemeve të Informacionit, do të vazhdojë edhe me aktivitete të ndryshme, të cilat do të fokusohen në tema të ndryshme që do të përforcojnë njohuritë e studentëve dhe pjesëmarrësve të tjerë.