Fillon ANV-ja e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës – ligjërohet për ujërat e zeza dhe trajtimin e tyre

19/07/2018

Para një numri të madh pjesëmarrësish filloi punimet ANV-ja e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT.

Hapjen e Akademisë e bëri rektori i UBT-së prof.dr Edmond Hajrizi, i cili të pranishmit i njoftoi më shumë për rrjedhën e akademisë së sivjetme.
“Këtë vit jemi munduar të sjellim për diskutim tema nga fusha të ndryshme të Ndërtimtarisë që janë në interes të të gjithëve, si ujërat e zeza, mbrojtja dhe siguria në punë etj., tema këtyre që u duhet kushtuar rëndësi të veçantë secila kompani, por edhe sis”, tha Hajrizi.

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës, prof. dr Muhamet Ahmeti theksoi se UBT po mundohet që përmes kësaj ANV-je të sjell trendët e fundit botërorë në inxhinieri.
“Me qëllim që të marrim shije nga zhvillimet e fundit në botë, ne kemi ftuar ekspertë e profesorë nga vendet evropiane, por edhe vendorë, kjo sepse çështjet që do të trajtohen përgjatë kësaj akademie janë të një rëndësie të madhe”, vlerësoi dekani Ahmeti.

Klaas Visscher, profesor në Universitetin e Shkencave të Aplikuara, në Holandë, tregoi më gjerësisht për veçantitë që ka trajtimi i ujërave të ndotura.
“Trajtimi i ujërave të zeza është një shkencë e integruar për të cilën nuk mjafton të jeni vetëm inxhinierë ndërtimorë, por duhet të keni njohuri edhe mbi mikroorganizmat, ndryshimet fiziko-kimike etj.”, u shpreh Visscher.

Në ligjëratën hyrëse, Klass Hoek Spaans, student në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Holandë, trajtoi temën “Efekti i shkarkimit të ujërave të ndotura në ujë sipërfaqësor”.
Ai shtjelloi mënyrat e përdorimit të ujit nga industritë e ndryshme të cilat pas përdorimit të tij, atë e hedhin në lumenj, duke shkaktuar shkallë të lartë të ndotjes së ambientit.

Arnold Mulder, këshilltar mjedisor në Holandë, mbajti ligjëratën me temë “Karakterizimi i ujërave të zeza komunale”, ku me theks të veçantë ai u ndal tek rëndësia e rregullimit mjedisor që ndikon në ngritjen e nivelit të oksigjenit në një vend, si dhe parametrat që ndikojnë në rritjen e ndotjes së ujërave të zeza.

Akademia e Inxhnierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës do të vazhdojë punimet deri të premten, ku nga profesorë vendorë e ndërkombëtarë do të trajtohen tema të ndryshme si: digjitalizimi, gjeomekanika etj.