Fakulteti Media dhe Komunikim virtualisht mbajti ligjëratë mbi ndikimin psikologjik të pandemisë në punën e gazetarëve
13/11/2020Profesioni i gazetarisë është njëra ndër profesionet ku gazetarët përballen me shumë sfida. Raportimi nga vendi i ngjarjes është një rrezik potencial për infektim, mirëpo aftësia e gazetarëve e mundëson që të kryejnë detyrat e tyre në mënyrë sa më profesionale dhe me përgjegjësi duke e sfiduar këtë epidemi që na ka kapluar.
Periudha e pandemisë ka sjellë një numër normash dhe ndryshime të reja, ku të gjitha këto ndryshime e bëjnë raportimin edhe më të komplikuar dhe dëmtojnë shëndetin emocional dhe fizik të gazetarëve.
Për ta kuptuar nga afër gjendjen psikologjike të gazetarëve, Fakultetit Media dhe Komunikim, ka organizuar ligjëratën tematike online me titull: “Ndikimi psikologjik i pandemisë COVID-19 në punën e gazetarëve”, e cila u mbajt nga psikologja dhe profesoresha Violeta Zefi.
Në kuadër të kësaj ligjërate është diskutuar zgjerimisht rreth sfidave të raportimit siç janë: siguria personale, verifikimi i fakteve, dezinformimi, infodemia, paqartësia nga ana e shkencëtarëve, mohimi total i virusit etj.
Ndërkaq, studentët u njoftuan edhe me mirëqenien emocionale të gazetarëve, përjetimin dhe menaxhimin e stresit, frikës si dhe kujdesin e shëndetit mendor si gazetarë.
Studentët e këtij fakulteti pajisen me njohuri që do t’u shërbejnë atyre dhe shoqërisë në përgjithësi, e që do t’u ndihmojë në profesionalizmin gazetaresk të tyre.