Fakulteti Media dhe Komunikim në UBT, ofron mundësi praktike profesionale për studentët në UBT Media Group

20/12/2024

Fakulteti Media dhe Komunikim në UBT është duke realizuar një mundësi për studentët, duke ofruar mundësinë për të ndjekur praktikën profesionale në ‘UBT Media Group’. Ky program është një mundësi e rëndësishme për zhvillimin profesional të studentëve, pasi synon të ofrojë eksperiencë praktike në një ambient dinamik dhe inovativ.

Dekani i Fakultetit, Prof. Dr. Selimi, thekson se ‘UBT Media Group’ është një laborator multimedial, që ofron kushte optimale për realizimin e projekteve brenda institucionit. Ai thekson se ky laborator mundëson studentët të punojnë me pajisjet më të avancuara dhe të realizojnë projektet e tyre në mënyrën më profesionale të mundshme. “Ky është një hap i rëndësishëm në përgatitjen e studentëve për kërkesat dhe standardet e industrisë mediatike, duke u mundësuar atyre të përdorin teknologjinë më të fundit dhe të përgatiten për tregun e punës”.

Sipas këtij planifikimi, çdo javë, dy studentë të vitit të dytë dhe dy të vitit të tretë do të kenë mundësinë të zhvillojnë praktikën në ‘UBT Media Group’.

“Qëllimi kryesor është që studentët të zhvillojnë aftësitë e tyre praktike dhe profesionale, për t’u përgatitur për tregun e punës. Ata do të kenë mundësinë të punojnë në projekte reale, të bashkëpunojnë me profesionistë të fushës dhe të aplikojnë njohuritë teorike, që kanë fituar gjatë studimeve”, thotë Dekani, Selimi. Praktika ka për qëllim zhvillimin e aftësive të tyre teknike dhe kreative, për të forcuar besimin në aftësitë e tyre dhe për t’u bërë pjesë e një rrjeti të rëndësishëm profesional. Përfundimisht, ky program i praktikës synon t’i ndihmojë studentët të krijojnë një bazë të fortë profesionale, duke i përgatitur për sfidat dhe mundësitë e tregut të punës në fushat e medias dhe të komunikimit.