Fakulteti i Shkencave Politike, vendi ku përgatiten liderët e ardhshëm

07/05/2018

 

Intervistë e realizuar me dekanin e Fakultetit të Shkencave Politike, në UBT, prof. dr Arian Starova, i cili tregoi mbi specifikat, specializimet dhe pikat e forta të fakultetit të cilin ai e drejton.

 

UBT News: Çka e bën të veçantë nga fakultetet e ngjashme të universiteteve tjera Fakultetin e Shkencave Politike që ju e drejtoni?

 

Starova: Programet mësimore të Fakultetit të Shkencave Politike, në UBT, janë mbështetur mbi përvojat më të mira të fakulteteve të huaja të mirënjohura në shkenca politike.
Brenda kësaj ngjashmërie, fakulteti ynë ka veçantitë e tij në disa drejtime:

 

• Cilësia e lartë e mësimdhënies e cila sigurohet nëpërmjet bashkërendimit të përbërjes së trupës së pedagogëve të brendshëm dhe të jashtëm. Një pjesë e mirë e pedagogëve kanë njëherësh edhe përvojë akademike edhe përvojë të punës në institucionet politikëbërëse, çka shërben si burim i rëndësishëm i njohurive për studentët gjatë procesit mësimor.
• Cilësia e studentëve që kanë përfunduar studimet e këtij fakulteti është e spikatur, jo vetëm për shkak të vlerësimeve të lartë me anën e notave, por edhe të interesit të lartë studimor të shfaqur përgjatë viteve të studimeve. Një pjesë e mirë e këtyre studentëve janë punësuar në institucione të shtetit, ose për ta është treguar interes nga këto institucione që në vitet e studimeve.
• Organizimi i shpeshtë dhe i rregullt i veprimtarive të ndryshme, duke ftuar zyrtarë të ndryshëm të institucioneve politike dhe diplomatike, vendas dhe të huaj. Këto veprimtari u japin studentëve edhe shumë njohuri praktike nga fusha e politikës dhe e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Pikërisht për këtë synim është krijuar dhe vepron Forumi i Shkencave Politike i cili organizon thuajse për çdo javë veprimtari të tilla me folës të ndryshëm, në të cilat ata ndajnë me studentët përvojën e tyre të punës nëpërmjet ligjërimeve mbi tema të veçanta dhe diskutimeve të shoqëruara me pyetje dhe përgjigje.
Në mënyrë të veçantë, këto veprimtari shërbejnë për zhvillimin e arsyetimit kritik të studentëve.
Ky forum mundëson edhe krijimin e lidhjeve ndërmjet studentëve dhe të ftuarve të veprimtarive, nëpërmjet të cilave studentët informohen, shfaqin interesat e tyre për probleme të ndryshme, apo për punësimin e tyre të ardhshëm.
• Vizitat studimore në disa prej institucioneve më të rëndësishme të vendit, si: Kuvendi i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme, etj. Po ashtu, atyre u mundësohet të bëjnë vizita studimore edhe në vendet e regjionit. si Shqipëria dhe Maqedonia, ku vizitojnë disa nga institucionet kyçe të shtetit.
• Fakulteti ynë shquhet për një marrëdhënie bashkëpunuese të veçantë pedagog-student, e cila shprehet në veprimtari shkencore të përbashkëta, në studime të veçanta që ata ndërmarrin, në punimet shkencore të vetë studentëve, etj.
• Studentët tanë të Shkencave Politike kanë mundësi, të mbështetur në marrëveshjet përkatëse të UBT-së, që të kryejnë pjesë të veçanta të procesit mësimor në universitete të tjerë jashtë vendit, si p.sh: në Varshavë, Vjenë, Salzburg, Ljubljanë, etj.
• Veprimtaritë e mirëfillta shkencore që mishërohen në dy veprimtari të rëndësishme madhore, që janë Konferenca Shkencore Ndërkombëtare Vjetore dhe Akademia Verore Studentore.
Këto dy veprimtari janë themelore për Fakultetin e Shkencave Politike dhe UBT-në, si mbështetëse të cilësisë së procesit mësimdhënës, ndërlidhëse me veprimtarinë akademike ndërkombëtare dhe shërbim ndaj nevojave shtetndërtuese të Kosovës.

 

UBT News: Cilat janë specializimet që i ka Fakulteti i Shkencave Politike i UBT-së?

 

Starova: Fakulteti ynë ka tri degë të veçanta të nivelit bachelor dhe studentët mund të përzgjedhin njërën prej tyre në vitin e tretë të studimeve.
Këta specializime janë:

 

• Administrimi Publik
• Marrëdhëniet Ndërkombëtare
• Integrimet Evropianë

Përveç nivelit bachelor, ofrohen edhe studime të nivelit master, tani për tani, vetëm për degën e Administrimit Publik. Synimi i fakultetit tonë është që ta shtrijë nivelin master edhe në dy degët e tjera.
Këshilli Akademik i fakultetit është duke menduar dhe duke punuar për këtë dhe, ndoshta, mund të arrijnë në vendimmarrjen për hapjen e dhe të një ose dy degëve të reja në vitet e ardhshme.

 

UBT News: Përse studentët duhet të vijnë për të ndjekur studimet në Fakultetin e Shkencave Politike të UBT-së, sipas mendimit tuaj?

 

Starova: Programi që ofron Fakulteti i Shkencave Politike i UBT-së është hartuar duke mbajtur në mënyrë të posaçme nevojat e tregut të punës për të pasur sa më shumë ekspertë të politikës, të cilët dinë t’u përgjigjen prirjeve në rritje të zhvillimit të Kosovës, forcimit të institucioneve të saj demokratike dhe proceseve të integrimeve madhore euroatlantike.
Për këto arsye, programet mësimore dhe veprimtaritë akademike-shkencore u kushtojnë vëmendje të veçantë politikave të veçanta të Kosovës, rolit të veçantë të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë dhe zhvillimit të marrëdhënieve ndërkombëtare të Kosovës, si një shtet i ri.