Fakulteti Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor organizoi Akademinë Verore me një sërë aktivitetesh

17/07/2024

Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT në kuadër të Global UBT Fest për tri ditë radhazi mbajti akademinë verore në kampusin inovativ të UBT-së në Lipjan. Ceremonia e hapjes u drejtua nga Dekani i Fakultetit, Prof. Dr. Binak Beqaj, i cili luajti një rol të rëndësishëm në drejtimin dhe organizimin e suksesshëm të aktivitetit.

Prof. Dr. Binak Beqaj, në cilësinë e dekanit shpalli zyrtarisht fillimin e akademisë verore, duke i ftuar të gjithë pjesëmarrësit të angazhohen plotësisht në programin e pasur të ligjëratave tematike, workshopeve, prezantimeve dhe diskutimeve që ishin në programin e akademisë verore. Poashtu Prof. Dr. Binak Beqaj,  theksoi rëndësinë dhe seriozitetin e angazhimit të institucionit për të ofruar një platformë të rëndësishme për diskutimin dhe zhvillimin e dijes, përvojës, ideve inovative në fushën e arkitekturës dhe planifikimit urban.

Më pas, u zhvillua prezantimi i moduleve dhe projekteve nga Prodekani i Fakultetit, Egzon Bajraktari, të cilat vazhduan gjatë tri ditëve vijuese.

Të gjithë të pranishmit patën mundësinë të njiheshin me punën dhe programin e pasur që ishte paraparë në kuadër të kësaj akademie verore që organizoi Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor. Aktivitetet u përkrahën nga një numër i konsiderueshëm i studentëve, pedagogëve, përfaqësues të institucioneve publike e private dhe profesionistëve të fushës, të cilët shkëmbyen ide dhe përvoja të rëndësishme në lidhje me qëndrueshmërinë në arkitekturë.

Akademia filloi nën drejtimin e ligjëruesit Bard Bajçinovci i cili prezantoi modulin e tij në “Dizajn Arkitektonik”. Ligjëruesi ndau me audiencën qëllimet dhe objektivat e modulit të tij, duke theksuar rëndësinë e përdorimit të teknologjive dhe koncepteve të reja në zhvillimin e dizajnit urban dhe arkitekturës së qëndrueshme. Prezantimi i tij u shoqërua me demonstrime praktike dhe studime që ilustruan përdorimin e metodave të avancuara në fushën e dizajnit arkitektonik.

Në vazhdim të programit të akademisë verore, një fokus i rendësishëm iu dedikua temës “Qëndrueshmëria rigjeneruese si një hap përtej Eficiencës”. Ky sesion u drejtua nga Blerta Vula dhe Guri Berisha, të cilët prezantuan modulin e tyre në “Eficiencën e Energjisë”.

Një ligjeratë ndërmodulare u mbajt edhe nga ligjëruese Leana Mahmuti mbi temën “Modelet Fizike në Arkitekturë”, ku u theksua rëndësia e përdorimit të modeleve fizike për të simuluar dhe vlerësuar performancën e projekteve arkitektonike në lidhje me aspekte të ndryshme fizike dhe teknike.

Ligjëratë tjetër iu dedikua edhe temës “Tactical Urbanism and AI”, që u udhëheq nga ligjëruese Medina Shalaku, Anita Imeri, si pjesë e modulit të parë në “Planifikimin dhe Dizajnin Urban”. Ligjërueset diskutuan rreth përdorimit të taktikave urbane dhe inteligjencës artificiale në procesin e planifikimit dhe dizajnit urban. Poashtu, u paraqitën strategjitë e tyre për të përdorur teknologjitë e fundit për të përmirësuar qytetërimin e hapësirave urbane, duke adresuar sfidat dhe mundësitë që ofrojnë teknologjitë dhe praktikat e taktikave urbane.

Një sesion u mbajt nga Dea Luma mbi temën “Neuroarchitecture”. Ky sesion u zhvillua si pjesë e modulit të dytë në “Dizajni Arkitektonik”.

Në kuadër të Akademisë Verore “Global UBT Fest 2024” në Fakultetin e Arkitekturës, një sesion u mbajt me temën “Policies and Measures for Sustainable Development and Energy Efficiency in Kosovo”. Ky segment u zhvillua si pjesë e modulit të katërt në “Eficienca e Energjisë”.

Sesionin e drejtuan përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës, Agim Mazreku dhe Servet Spahiu, që prezantuan politikat dhe masat që janë ndërmarrë në Kosovë për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe eficiencën e energjisë në ndërtesat dhe infrastrukturën e qyteteve.

“Tactical Urbanism and AI”, ishte tema tjetër e rëndësishme e workshopit që u mbajt nga profesor, Shqiprim Ahmeti, Anita Ymeri, dhe Medina Shalaku, që u zhvillua si pjesë e modulit të parë në “Planifikimin dhe Dizajnin Urban”. Fokusi i punëtorisë ishte në përdorimin e taktikave urbane dhe inteligjencës artificiale për të përmirësuar planifikimin dhe dizajnin e qyteteve. Ahmeti, Ymeri dhe Shalaku demonstruan aplikacionet praktike të teknologjive të reja dhe strategjitë për të adresuar problemet e qytetërimit në mënyrë inovative dhe efikase.

Workshop u zhvillua edhe në temën “Plus Hapësira Publike”, që u udhëhoq u nga profesor Vullnet Shaqiri dhe Bard Bajcinovci, si pjesë e modulit të dytë në “Dizajni Arkitektonik”. Workshopi fokusoi përmirësimin dhe zhvillimin e hapësirave publike në mjediset urbane. Shaqiri dhe Bajcinovci diskutuan rreth koncepteve dhe strategjive për të krijuar hapësira që shpërblejnë dhe përdorin burimet natyrore dhe kulturore në mënyrë të qëndrueshme dhe inovative.

“Eficienca e Energjisë”, u trajtua nga Guri Berisha, fokusi ishte në strategjitë dhe teknologjitë e fundit për të përmirësuar eficiencën e energjisë në ndërtesa dhe infrastrukturë.

Prezantimet e projekteve të studentëve në Global UBT Fest 2024

Në kuadër të Akademisë Verore “Global UBT Fest 2024” në Fakultetin e Arkitekturës në UBT, studentët paraqitën projektet e tyre në tema të ndryshme të fushës. Në “Planifikim dhe Dizajn Urban”, studentët prezantuan projekte të cilat përfshinin planifikimin dhe dizajnin e qyteteve të qëndrueshme, duke përdorur teknologjitë e fundit dhe konceptet e taktikave urbane.

Në fushën e “Dizajnit Arkitektonik”, u prezantuan projekte që fokusin kishin në dizajnin arkitektonik të ndërtesave dhe hapësirave, duke përfshirë inovacione në materialet dhe stilin arkitektonik.

“Trashëgimia Arkitektonike”, ishte fusha në të cilën studentët shqyrtuan dhe prezantuan projekte që kërkuan ruajtjen dhe përdorimin e trashëgimisë arkitektonike të ndërtesave dhe objekteve historike. Dhe në kuadër të “Eficienca e Energjisë”, u prezantuan projekte që fokusin kishin në  përdorimin e teknologjive për të rritur eficencën e energjisë në ndërtesa dhe infrastrukturë, duke adresuar sfidat e qëndrueshmërisë së energjisë.

Ditën e fundit të akademisë verore pas përfundimit të ligjëratave tematike, workshopeve, prezantimeve të studentëve në kuadër të “Global UBT Fest 2024”, kolegët dhe profesorët e Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor patën mundësinë të hyjnë në një fazë të diskutimit dhe konsultimit mbi projektet e prezantuara. Ky moment ofroi një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e ideve, vlerësimin e projekteve dhe përmirësimin e tyre nëpërmjet analizave dhe rekomandimeve të ofruara nga kolegët dhe ekspertët në fushën e arkitekturës dhe dizajnit urban. Ky proces përmirësoi jo vetëm cilësinë e projekteve të prezantuara, por gjithashtu theu barrierat akademike për të krijuar një mjedis të hapur për diskutim dhe rritje të njohurive në fushën e arkitekturës dhe urbanizmit.

Në përmbyllje të Akademisë Verore “Global UBT Fest 2024”, Dekani i Fakultetit, Prof. Dr. Binak Beqaj, bëri një vlerësim të aktiviteteve të këtij organizimi. Ai theksoi se akademia u përmbyll me sukses të madh, duke pasur një program me ligjerata tematike, workshope, prezantime projektesh dhe shkëmbime njohurish të reja. Prof.Dr. Binak Beqaj vuri në dukje se gjatë kësaj periudhe u zhvilluan debate konstruktive, u diskutua dhe u arritën përfundime profesionale të rëndësishme për fushën e arkitekturës. Dekani theksoi se stafi akademik u angazhua seriozisht në organizimin dhe mbikqyrjen e aktiviteteve, duke ndihmuar në arritjen e suksesit të kësaj akademie verore. Më e rëndësishmja, sipas tij, ishte angazhimi dhe vullneti i të gjithë pjesëmarrësve, të cilët nuk e konsideruan akademinë si një detyrim, por si një mundësi për të zhvilluar njohuri dhe aftësi të reja në fushën profesionale.

Ky vlerësim thekson vlerën e një angazhimi të plotë dhe një qëndrimi të hapur ndaj dijes dhe zhvillimit personal dhe profesional të studentëve, në drejtim të një mjedisi akademik. Dekani vlerëson edhe kujdesin e vazhdueshëm të UBT-së si institucioni më i njohur i arsimit të lartë në rajon, ku liria për të shprehur mendimet dhe debatet konstruktive janë të inkurajuara dhe vlerësuar në mënyrë të barabartë.