Ekspertët e çështjes së migrimit: Migrimi i jashtëligjshëm nuk është zgjidhje dhe ka pasoja të parikuperueshme

03/05/2017

Migrimi i jashtëligjshëm nuk është rruga e duhur për t’u ndjekur, me qëllim të kërkimit të një jete më të mirë. Kosova është në procesin e konsolidimit të ekonomisë dhe po shënon rritje graduale ekonomike, andaj Kosova ka nevojë për qytetarët e saj.

 

Këtë konkludim e kanë bërë ekspertët vendorë e ndërkombëtarë të migrimit, gjatë një konference për migrimin, të mbajtur të martën, në kampusin e UBT-së, në Prishtinë.

 

Me këtë rast, rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi tha se është me rëndësi që në kohën kur Kosova po përgatitet për liberalizim të vizave,  të ndikojmë në ngritjen e imazhit të shtetit tonë dhe jo ta dëmtojmë atë përmes migrimeve të paligjshme.


“Për ne dhe për vendin tonë po vijnë ditë të mira, sidomos për ata që kanë kompetenca të mira profesionale, kjo sepse, BE ka kërkesa të shumta për profesionistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme”, vlerësoi Hajrizi, i cili njëherësh hapi edhe zyrtarisht fillimin e aktivitetit “Java e Evropës në UBT”, që do të mbahet nga 2-9 maj 2017, për nder të Ditës së Evropës.

 

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha theksoi se institucionet shtetërore po mundohen të përmirësojnë jetën e qytetarëve përmes mekanizmave të ndryshëm,fal të cilëve, sipas tij, Kosova është ka arritur të renditet në radhën e shteteve me ekonomi në zhvillim dhe në shtet të sigurt për të jetuar.


“Asnjë vend i Bashkimit Evropian nuk i jep azil qytetarëve të vendit tonë, dhe kjo sepse, Kosova renditet në radhën e shteteve të sigurta për të jetuar, prandaj që çdo mësymje e paligjshme e qytetarëve drejt lëshimit të vendit nuk sjell përfitime për ta, por vetëm kosto financiare dhe morale”, potencoi Hoxha.

 

Tutje, Hoxha tregoi se në ministrinë në të cilin ai punon, është përgatitur program dhe projekt vetëdijesimi dhe riintegrimi për qytetarët, të cilët në një periudhë të caktuar e kanë lëshuar vendin dhe kanë vendosur të kthehen.

 

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, duke treguar për projektin e realizuar me qëllim të vetëdijesimit dhe të mbështetjes të të kthyerve, potencoi se migrimi nuk është rrugëdalje dhe nuk ofron kushte më të mira për jetë.


Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch: “Përmes fushatave informative, videove, rrjeteve sociale dhe mediave të ndryshme, jemi munduar që t’u tregojmë njerëzve se Kosova ofron kushte për jetë të mirë, por për këtë, vendi ka nevojë për qytetarë, të cilët do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe në përmirësimin e jetës”, tha Bosch, teksa tregoi shembuj konkretë nga jeta e atyre që shkuan për një jetë më të mirë, por u kthyen pa asnjë përfitim.

 

Eksperti i migrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Austrisë, Peter Schreiner tregoi për trendët e migrimit në regjionin e Ballkanit dhe politikat migruese të Austrisë, tha se vendi i tij është i hapur për të pranuar të rinj, por kjo duhet të bëhet në mënyrë të ligjshme.


“Nëse doni ta lëshoni Kosovën, bëjeni në mënyrë ligjore sepse përndryshe, vetëm do e shkatërroni  të ardhmen tuaj, kjo sepse, migrimi i paligjshëm kushton me më së paku 5 vite pamundësi për hyrje në Austri, por edhe në vendet tjera të BE-së”, u shpreh Schreiner.

 

Për të treguar për qëllimin e projektit për fushatën kundër migrimit të jashtëligjshëm brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme, Timo Langemeijer, tha se ideja e këtij projekti është që të bëhet binjakëzimi i organizatave nga vende të ndryshme, për të arritur rezultate të caktuara dhe për të mësuar nga njëri-tjetri.


“Me këtë projekt po tentojmë të zhvillojmë komponentë për zhvillimin e legjislacionit në fushën e migrimit, për hartimin e planit të veprimit, përmes strategjive vepruese, të cilat synojnë që të ndihmojnë në riintegrimin e të kthyerve në vendin e tyre”, shpjegoi ai, teksa shtoi se, “përmes këtyre fushatave po mundohen që të dekurajojnë personat që duan të udhëtojnë në vendet e BE-së përmes rrugëve të jashtëligjshme”.

 

Konferenca mbylli punimet pas një diskutimi me profesorët, studentët dhe të ftuarit tjerë, të cilët shtruan pyetje mbi çështje që kanë të bëjnë me migrimin, sfidat dhe problemet që dalin prej këtij procesi.

https://www.youtube.com/watch?v=xAgAMuzCNPc&feature=youtu.be