Ekspertët turq të stomatologjisë, prezantuan në UBT implantologjinë dentare

25/04/2019

Drejtori ekzekutiv i kompanisë turke, “Mode Implant”, Oguz Akyuz, së bashku me profesorin  Ugur Meric, në cilësinë e ekspertëve dentarë, për herë të parë në Kosovë kanë prezantuar sektorin e implantologjisë dentare, prodhimin e produkteve përkatëse me teknologjinë e fundit dhe pajisjet që përdoren në këtë sektor.

 

Për studentët, stafin e Fakultetit të Stomatologjisë dhe për të interesuarit tjerë, profesori Meric ka mbajtur ligjëratë tematike në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, ku edhe ka trajtuar temën: “Autogenous bone in daily practice. Getting the golden standard back to work”.

 

Meric ka prezantuar njohuritë profesionale dhe eksperiencat e fituara në kirurgjinë orale dhe implantologjinë.

 

Më pas, Akyuz ka bërë të ditur se akademia të cilën ai e përfaqëson është e interesuar të lidh memorandum mirëkuptimi me UBT-në, në mënyrë që me institucionin të bashkëpunohet për të zhvilluar sektorin e implantologjisë dentare edhe në Kosovë.

 

Ai tha se përfaqësues të kësaj akademie së shpejti do të vijnë në UBT për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, nga e cila do të përfitojnë profesionalisht edhe studentët e Fakultetit të Stomatologjisë në UBT.