Eksperti i fushës së marketingut, Fisnik Behxheti ndau përvojën e tij me studentët e Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë

01/12/2023

Eksperti i fushës së marketingut, Fisnik Behxheti ndau mendimet dhe përvojën e tij shumëvjeçare me studentët e nivelit master në specializimin Marketing dhe shitje pranë Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT.

Ligjërata e zhvilluar në kuadër të lëndës me bartës profesorin Rajan Arapi, ishte një mundësi e shkëlqyer për studentët të cilët duan të njoftohen më shumë rreth procesit të sjelljes konsumatore në zhvillimin e bizneseve.

Me një përvojë mbi 20 vjet në sektorin e financave dhe menaxhimit në organizata të ndryshme, Fisniku ka pasur një impakt të rëndësishëm në konceptimin dhe kuptimin e sjelljes së konsumatorëve.

Fisniku Behxheti përmes përvojës së tij në bankat e njohura si Kasbank/NLB, RBKO, dhe TEB, ka pasur mundësinë të kuptojë thellësisht nevojat dhe preferencat e konsumatorëve në fushën e financave.

Përveç kësaj, rolet e tij në fushën e tregtisë dhe biznesit si Drejtor Ekzekutiv në rrjetin e marketeve Spar dhe zyrtar operativ (COO) në rrjetin e marketeve DEPO, i kanë ofruar mundësinë të eksplorojë shumë aspekte të sjelljes së konsumatorëve në një ambient tregtar.

Ndërlidhja e teorisë me praktikën respektivisht me industrinë është strategji e UBT-së që studentët të fitojnë njohuri nga praktikat më të mira aktuale në tregun e punës.