Ekspertët në UBT: Teknologjia dhe digjitalizimi po e ndryshojnë mënyrën e shpërndarjes dhe marrjes së informacioneve

03/04/2019

UBT dhe Shoqata e Miqësisë Franko-Shqiptare kanë organizuar Konferencën Ballkanike për Bashkëpunim Universitar dhe të Mediave në Kosovë, në të cilën gazetarë dhe ekspertë nga Franca dhe Kosova, kanë dhënë opinionet e tyre mbi zhvillimin mediave të reja, si dhe transformimin dhe përshtatjen e mediave të reja në epokën digjitale.

 

Rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi tha se Shoqata e Miqësisë Franko-Shqiptare po jep kontribut të madh në krijimin e urave lidhëse të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Francës, teksa shtoi se ky bashkëpunim po i tregon efektet sidomos në fushën e arsimit.

 

Duke përmendur rolin e arsimit të lartë dhe veçanërisht studimet që bëhen në fushën e mediave, Hajrizi theksoi se mediat digjitale kanë transformuar edhe mënyrën e të studiuarit për këtë fushë.

“Jemi në procesin e transformimit dhe pozicionimi në një periudhë të tillë nuk është aspak i lehtë për ata që merren me media. Përmes mediave duhet të mundohemi që të edukojmë komunitetin sepse qytetarëve ende u mungon qasja në informacione të sakta”, potencoi ai.

 

Zv.minsitrja në Ministrinë e Kulturës. Rinisë dhe Sportit, Burbuqe Bakija – Deva vlerësoi se UBT po e ndihmon vendin në procesin e ndërkombëtarizimit falë marrëveshjeve të shumta të bashkëpunimit, andaj, sipas saj, edhe kjo konferencë që është rezultat i një bashkëpunimi, është e një rëndësie të veçantë, marrë parasysh rolin e mediave në ditët e sotme dhe proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

“Sot bota dhe mediat po i nënshtrohen transformimit përmes një procesi që quhet globalizim, prandaj edhe ne duhet mësuar të mendojmë globalisht për të vepruar në mënyrë lokale”, konstatoi ajo.

 

Drejtori gjeneral i TV 8 MONT BLANC nga Franca, Pierre Baucaund tha se transformimi i teknologjisë është diçka fenomenale që ka ndodhur, pasi sot informacioni digjital e ka prekur tërë botën.

“E rëndësishme është se sot gjithçka po transformohet, përfshirë edhe mediat botërore, e këtij procesi i kanë ndihmuar rrjetet sociale, veçanërisht që Facebook, që ka më shumë se dy miliardë shfrytëzues aktivë në botë”, shpjegoi ai.

 

Sipas Baucaund, rrjetet sociale dhe telefonat e mençur e kanë transformuar mënyrën e të informuarit, sidomos në aspektin vizual, por ai vlerëson se mediat e shkruara nuk bën ta humbin vlerën që kanë.

“Gati 80% e përmbajtjes që përcillet në internet përbëhet nga videot, por kjo nuk do të thotë që mediat e shkruara kanë vdekur”, konstatoi ai.

 

Presidenti i Shoqatës së Miqësisë Franko-Shqiptare. Tahir Shabani diskutoi me të pranishmit për mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore dhe mediave, si dhe vizitat e përbashkëta që do të realizohen brenda një të ardhmeje të afërt.

“Ne do ta vazhdojmë përkrahjen dhe do të mundohemi që të ndihmojmë edhe më tej në zgjerimin e bashkëpunimeve në fusha të ndryshme”, deklaroi ai.

 

Konferenca u përmbyll me një diskutim të hapur me studentët dhe ekspertët e pranishëm, me ç’rast u trajtua çështja e frekuencave lokale dhe atyre nacionale në Kosovë e Francë, format e mundshme për rregullimin ligjor të portaleve, mënyrën e raportimit të mediave franceze për ngjarjet që zhvillohen në Kosovë, por edhe për mundësinë e të studiuarit për gazetari nëpër universitetet franceze.