Ekipi i UBT-së merr pjesë në punëtorinë e Hackathon-it Ndërkombëtar “HackCorruption” – prezanton projektin fitues inovativ “AI Corruption Tracker”
09/11/2024Pas fazës konkurruese dhe përfitimit të projektit, ekipi i UBT-së, i përbërë nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dhe profesorët: Blerim Zylfiu, Hajdi Xhixha dhe Lavdim Menxhiqi, mori pjesë në punëtorinë e Hackathon-it Ndërkombëtar “HackCorruption” në Tiranë.
Në kuadër të kësaj punëtorie u zhvilluan dhe u prezantuan projektet fituese, ku ekipi UBT-së dhe Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në Kosovë, u shpall fitues në vendin e parë me projektin “AI Corruption Tracker”.
Ky projekt përfaqëson një arritje të rëndësishme për UBT-në, duke dëshmuar përkushtimin e universitetit ndaj inovacionit dhe transparencës. “AI Corruption Tracker” është një platformë e avancuar e bazuar në inteligjencën artificiale që ka për qëllim identifikimin e konflikteve të interesit në Kosovë, duke ndihmuar në zbulimin dhe parandalimin e praktikave korruptive.
Rektori Hajrizi theksoi se suksesi në këtë ngjarje ndërkombëtare tregon përkushtimin e UBT-së për të avancuar kërkimet shkencore dhe teknologjitë që kontribuojnë në përmirësimin e shoqërisë.
HackCorruption u organizua nga Accountability Lab, në partneritet me Qendrën për Ndërmarrjet Ndërkombëtare Private (CIPE), Development Gateway:, USAID’s Countering Transnational Corruption Grand Challenge for Development, and the U.S. Department of State, An IREX Venture dhe Open Gov Hub Albania.