Ekipi i Kosovës suksesshëm vazhdon të prezantojë vendin në garën e robotikës “FIRST Global Challenge” (VIDEO)

04/09/2020

Ekipi i përbërë nga Elta Bajrami, Albana Hajdini, Vlera Saraçi dhe Penda Smajlaj, nën mentorimin e Elita Hajrizit, për disa muaj me radhë, janë duke përfaqësuar Kosovën në garën më të madhe ndëkombëtare në fushën e Robotikës, FIRST Global Challenge, që për shkak të situatës aktuale me COVID-19, po mbahet online.

 

Në këtë garë po marrin pjesë të rinjtë nga 170 vende të ndryshme të botës,  të cilët këtë vit, ndryshe nga garat e organizuara më herët po përdorin njohuritë teknologjike dhe kreative për zgjidhjen e problemeve të ndryshme në komunitetin ku jetojnë ata.

 

Ekipi i Kosovës, përfaqësuar nga UBT, suksesshëm ka arritur të shënoj fitore në shumë rundë të kësaj gare, e cila po mbahet virtualisht.

 

Sipas garuesve të ekipit nga Kosova, përfaqësuar nga UBT, pjesëmarrja në këtë garë kaq të rëndësishme është një eksperiencë e jashtëzakonshme, që po synojnë ta bartin te të gjithë të rinjtë e Kosovës.

 

“Jam e lumtur që jam edhe këtë vit pjesë e grupit të robotikës të Kosovës dhe që po mundohemi dinjitetshëm të përfaqësojmë Kosovën në këtë garë. Ne si vajza të reja, të gjitha eksperiencat që po i marrim nga First Global po mundohemi që t’i promovojmë edhe tek të rinjtë e Kosovës, që edhe ata t’i marrin eksperiencat dhe të gjitha ndjenjat që ne po i përjetojmë gjatë kësaj gare”, ka thënë garuesja Elta Bajrami, që po përfaqëson Kosovën në FIRST Global Challenge.

 

Pjesëtarja tjetër e ekipit të Kosovës Vlera Saraçi, është shprehur e lumtur për faktin se pjesëmarrja në këtë garë po e ndihmon atë që të zhvillojë më tutje aftësitë e saj falë mundësisë që përmes UBT-së ta përfaqësojë Kosovën në gara ndërkombëtare.

 

“Përshtypjet e mia mbi garën STEM janë të jashtëzakonshme për shkak se si nga ana teknike dhe ajo sociale kam pasur mundësi që t’i zhvillojë aftësitë e mia, si për shembull në fushën e teknikës kam pasur aftësi që t’i zhvillojë njohuritë në fushën e animacionit”, është shprehur me entuziazëm anëtarja e ekipit nga Kosova Vlera Saraçi.

 

Albana Hajdini, pjesëtare e skuadrës së Kosovës në garat e robotikës, që këtë vit po mbahen online, ka thënë se këtë vit garat kanë qenë më ndryshe dhe më sfiduese, si shkak i pandemisë COVID-19.

 

“Këtë vit një prej sfidave ka qenë që ne të sjellim një ndryshim në Kosovë dhe për të rinjtë e Kosovës, duke sjellë një lëndë zgjedhore që inkuadron lëndët ose fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës. Mënyra se si ne kemi vendosur ta bëjmë këtë është duke shtuar realizimin e projekteve në bazë të STEM, të cilat do të bëjnë zgjidhjen e problemeve reale të komunitetit tonë, në arsimimin e nxënësve, në kuadër të lëndës zgjedhore. Kjo do të mundësoj që nxënësit e Kosovës të mësojnë më shumë se thjesht teori, madje që të jenë më se të aftë të ulen nëpër tryezat ndërkombëtare dhe të bëjnë ndryshime.”, ka thënë Albana Hajdini, pjesëmarrëse e garës së robotikës, me ekipin nga Kosova.

 

UBT e përfaqëson Kosovën  në këtë garë tash e disa vite, ku përmes ekipit të përbërë nga studentë të UBT-së, përgatiten profesionalisht në laboratorët inovativë të mekatronikës.

UBT është vlerësuar nga organizatorët dhe ka marrë medalje të artë për kontributin dhe mbështetjen që po jep për FIRST Global.