Diskutohen aspektet gjinore në ekonomi, themelohet Qendra e UBT-së për Ekonomi dhe Barazi Gjinore

10/11/2015

Konferencën “Aspektet gjinore dhe Ekonomia”, e organizuar nga UBT dhe Shoqata Austriake-Kosovare, ka trajtuar sot një varg çështjesh me interes dhe ka mbledhur figura të rëndësishme, duke filluar nga zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja për Kosovën e këtij institucioni, zonja Ulrike Lunaçek, zëvendësministrja në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Besa Zogaj, këshilltarja e Presidentes së Republikës së Kosovës, Jeta Krasniqi e folës të tjerë.


Me këtë rast, gjithashtu u lansua themelimi i Qendrës së UBT-së për Ekonomi dhe Barazi Gjinore.

Kryetari i Shoqatës Austriake-Kosovare, drejtues i konferencës, Gunther Fehlinger theksoi se Qendra e UBT-së për Ekonomi dhe Barazi Gjinore do të japë kontributin e saj profesional në trajtimin e një varg çështjesh që ngrihen në shoqërinë tonë lidhur me barazinë gjinore në shumë sfera, me theks të veçantë në ekonomi.


Pas fjalimit shterues të zonjës Lunaçek, që u prit me shumë interes nga të pranishmit, konferenca i vazhdoi punimet me prezantimet dhe debatet për aspektet gjinore në ekonomi.

Besa Zogaj, zëvendësministre në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik së Kosovës, tha ndër të tjera se pavarësisht faktit se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë iniciativa të ndryshme për përfshirjen e grave në tregun e punës, ende ka sektorë ku pjesëmarrja e grave është e ulët, si në fushën e energjetikës, minierave dhe teknologjisë.


“Dyzet e gjashtë për qind e popullsisë është e aftë për punë, mirëpo nuk janë në marrëdhënie pune. Këtu përfshihet edhe një numër i madh i gjinisë femërore. Përveç kësaj, në disa sektorë nuk ka asnjë grua të punësuar, e në disa pjesëmarrja e tyre është shumë e ulët si në miniera, teknologji informative e energjetikë”, tha Zogaj.

Këshilltarja e Presidentes së Republikës së Kosovës, Jeta Krasniqi, tha se fuqizimi ekonomik është pjesë kyçe për zhvillimin dhe vetëdijesimin e grave në tregun konkurrent të punës.

“Investimi në fuqizimin ekonomik, përcjellë me përkrahje të plotë nga faktorë të tjerë, është element që ndikon për zhvillimin e punësimit ose avancimin e gruas në tregun aktual të punës”, tha Krasniqi.

Ndërkohë Merita Limani, specialiste e të drejtës së pronës, ka folur për programin e hartuar nga USAID-i mbi të drejtat e pronës. Ajo tha se ky program ka të bëjë pikërisht me fuqizimin e të drejtave të grave në këtë drejtim.

Limani shtoi se Kosova ka ligje që rregullojnë këtë problem, mirëpo legjislacioni sipas saj është i dobët, sepse këto ligje nuk po respektohen.


“Afër 70 për qind e pronave nuk kanë titullar personat përgjegjës, që paraqet indikacion, sepse nëse mund të ndodhë ndonjë divorc, gruaja nuk mund të trashëgojë asgjë nga burri i saj. Ka ligje që e rregullojnë këtë sistem në Kosovë, por legjislacioni është treguar i dobët ngaqë të tilla si ligje nuk po respektohen”, tha ndër të tjera Limani.

Erëza Vela-Berisha, menaxhere e projektit WEE, ish-studente e UBT-së, theksoi se në shoqërinë kosovare femrat hasin në disa barriera si trashëgimia familjare, ku në të shumtën e rasteve pasuria i takon gjinisë mashkullore, pastaj zgjedhja e profesionit, ku zakonisht femrave u imponohet të zgjedhin profesione të lehta, si edukatore, mjeke, etj.

Gjatë gjithë kohës gratë përballen edhe me barriera nga shoqëria, mirëpo është koha që të fokusohemi në tregun e punës, në profesionet si në teknologji, politikë, e të tjera, tha  Berisha.

Në vijim, dr.Vjollca Krasniqi, profesoreshë e Psikologjisë, tha se ekonomia femërore po rritet në shumë vende, ndërkohë që ajo më herët ka qenë një disiplinë mashkullore dhe vendimmarrja e femrave ka qenë e rrallë. 

Ajo theksoi se të drejtat duhen te jenë të barabarta si në familje edhe në ekonomi e çdo kund tjetër. 

Çështjet gjinore në ekonomi, llogariten si lokale, mirëpo ato duhet të jenë globale, tha dr. Krasniqi, duke shtuar se është e rëndësishme që femrat të përfshihen në politikat makroekonomike.

Hulumtuesja Nicole Farnsworth theksoi se ekzistojnë të punësuarit, të papunësuarit dhe të qëndrueshmit ekonomikisht, ndërsa shtoi se femrat duan të jenë në këtë grupin e tretë. 


Ajo tha se femrat në Kosovë duan të jenë të zonjat, përndryshe ne nuk do te ishim fare këtu. 

Ne duhem të punojmë, sepse askush përpos nesh nuk merret me këtë pune. Nëse ne nuk ngritemi për vete, do të qëndrojmë në shtëpi, do të punojmë si amvise dhe do të merremi vetëm me fëmijë, tha ajo.

 

Pas përfundimit të prezantimeve nga të ftuarat, u bë një debat interaktiv nga to dhe audienca. U shpjeguan disa ide dhe disa mundësi biznesi për njerëzit të cilët do ta bënin një punësim gjinor 50 për qind femra e 50 për qind meshkuj.