Deputetet Arbëreshë Kryeziu-Hyseni dhe Albana Bytyqi zhvillojnë debat me studentët e UBT-së për Kuvendin e Hapur dhe përfshirjen qytetare
24/10/2024Në kuadër të Javës për Parlament të Hapur, deputetet Arbëreshë Kryeziu-Hyseni dhe Albana Bytyqi zhvilluan një bashkëbisedim me studentët e UBT-së, me fokus në transparencën parlamentare dhe përfshirjen e qytetarëve në proceset vendimmarrëse.
Në këtë debat, Kryeziu-Hyseni, kryetare e Forumit për Transparencë dhe Komisionit për Punë të Jashtme, theksoi rëndësinë e hapjes së Kuvendit ndaj qytetarëve, duke e cilësuar atë si “shtëpinë e qytetarëve”, ku secili duhet të ketë mundësinë të kontribuojë në vendimmarrje. Ajo shtoi se një dialog i rregullt me qytetarët forcon besimin mes institucioneve dhe shoqërisë, duke përmirësuar përfshirjen qytetare.
Nga ana tjetër, deputetja Albana Bytyqi, anëtare e disa komisioneve parlamentare, vlerësoi Javën për Parlament të Hapur si një nismë që rrit vetëdijen qytetare për rolin e Kuvendit, duke inkurajuar pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në jetën publike dhe politike të vendit. Ajo theksoi se puna e deputetit është një përgjegjësi e madhe dhe kërkon përkushtim, pasi çdo ligj i miratuar ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
Studentët e Shkencave Politike dhe të Studimeve të Sigurisë shprehën interes të madh për temat e trajtuara, duke kërkuar informacione shtesë mbi politikat e jashtme dhe sfidat aktuale në sferën e sigurisë. Përveç deputeteve, profesorët e UBT-së ofruan një perspektivë akademike mbi rëndësinë e transparencës dhe përfshirjes aktive të qytetarëve në proceset demokratike.
Kjo ngjarje shënoi një mundësi të shkëlqyer për studentët e UBT-së për të ndarë mendimet dhe për të marrë pjesë në një dialog të hapur me përfaqësuesit e Kuvendit të Kosovës.