Demiri: Ligjëratat tematike sjellin shumë përfitime për studentët

31/05/2015

Ligjëratat tematike të organizuara në UBT tashmë janë bërë një traditë. Temat e trajtuara nga këto ligjërata, me mysafirë ekspertë të fushave të ndryshme, po i pasurojnë studentët me informacione nga industritë e ndryshme, po ndihmojnë në përditësimin e njohurive të studentëve lidhur me zhvillimet aktuale në biznes, ekonomi, politikë,  teknologji, etj. Këto aktivitet po zgjojnë gjithnjë e më shumë interesimin e studentëve, të cilët përmes pjesëmarrjes dhe pyetjeve e debatit të zhvilluar, po i bëjnë këto ligjërata edhe më dinamike dhe më me interes.

 

Dy ligjëratat e fundit të organizuara nga Fakulteti i Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë, ajo

“Politikat makroekonomike dhe buxhetimi për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik” me ligjërues Semra Tyrbedari-Çitaku nga Ministria e Financave, si dhe “Shërbimet e marketingut digjital”, nga ligjëruesi Uragan Alia dhe mysafiri Gëzim Begolli, drejtor menaxhues për Httpool Kosovë dhe Shqipëri, u përcollën me mjaft interes nga studentët e MBE-së, por edhe të drejtimeve të tjera në UBT.

 

Dina Demiri është studente e vitit të tretë në MBE në UBT dhe është e rregullt në përcjelljen e ligjëratave tematike.

 

“Deri sot janë organizuar një numër i madh i ligjëratave tematike në tema të ndryshme, me interes për studentët e MBE-së dhe Sistemeve të Informacionit. Temat që kryesisht trajtohen gjatë këtyre ligjëratave përfshijnë të gjitha fushat e ekonomisë në të cilat besohet se ka nevojë të thellohen njohuritë, si dhe temat më të reja dhe aktuale që janë jo vetëm në Kosovë por edhe në botë sa i përket sferës së ekonomisë, menaxhmentit dhe biznesit ”, shprehet Demiri, për të shtuar se ligjëruesit kryesisht janë profesionistë me eksperiencë nga institucione dhe kompani të rëndësishme.

 

Edhe pse pjesëmarrja është e kënaqshme, nisur nga temat shumë të rëndësishme që trajtohen, studentja Demiri thotë se secili student, duke marrë pjesë në këto ligjërata, informohet nga burime informative të dorës së parë lidhur me praktikat dhe proceset e bizneseve, të politikës dhe të ekonomisë në vend dhe më gjerë. Kjo padyshim që i ndihmon secilit student të përfitojë njohuri të reja dhe të krijojë shkathtësi për debat dhe komunikim afarist e publik.

 

Duke numëruar përftimet nga këto ligjërata, ajo thekson se përveç njohurive dhe përvojave të reja, është shumë e rëndësishme mundësia që krijohet për kontakte me ligjëruesit dhe kompanitë e tyre për realizimin e praktikave, shkëmbimin e dijes dhe identifikimin e mundësive potenciale të punësimit. Përfundimisht, Demiri mendon se përfitimet e studentit nga ligjëratat tematike janë shumë të mëdha dhe i fton kolegët studentë nga të gjitha fakultetet që ta shfrytëzojnë mundësinë e dhënë nga UBT dhe të jenë pjesë e debateve dhe diskutimeve në ligjërata tematike.