Dekadat e suksesit: UBT kurorëzon vitin 2024 me vizionin 20-vjeçar të së ardhmes
21/12/2024UBT organizoi mbrëmë ceremoninë e fundvitit, një ngjarje e mbushur me festë, mirënjohje dhe reflektim mbi arritjet e vitit 2024. Ceremonia, e cila u mbajt në ambientet e UBT-së, mblodhi studentë, profesorë dhe bashkëpunëtorë, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe festive për të mbyllur një vit plot suksese.
Në fjalën e tij, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, vlerësoi angazhimin dhe punën e palodhur të stafit akademik dhe studentëve gjatë vitit 2024. Ai theksoi rëndësinë e vizionit 20-vjeçar të UBT-së, i cili u prezantua me krenari në mbi 50 vizita ndërkombëtare këtë vit.
Gjithashtu, Rektori Hajrizi nënvizoi rezultatet e jashtëzakonshme që UBT ka arritur në rangime ndërkombëtare dhe në aktivitetet e shumta akademike e shkencore.
“Po kthehemi pas me krenari për të reflektuar mbi dekadat e suksesshme të UBT, të cilat janë shënuar nga përkushtimi, arritjet dhe sfidat që na kanë formuar. Nga fillimet tona, kemi ndërtuar një komunitet akademik të fortë dhe një bazë të qëndrueshme për të ardhmen. Ndërkohë, përpara nesh shtrihet një vizion 20-vjeçar me mundësi për të ndihmuar çdo student të arrijë potencialin e tij më të madh. UBT do të vazhdojë të jetë një lider në edukimin e brezave të rinj, duke krijuar mundësi që do të ndërtojnë një të ardhme më të ndritur dhe të qëndrueshme për shoqërinë dhe vendin tonë. UBT është këtu për Kosovën, për Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët, duke siguruar që brezat e së ardhmes të jenë të përgatitur për sfidat dhe mundësitë që na presin”, theksoi Rektori Hajrizi.
Ceremonia përfshiu edhe ndarjen e mirwnjohjeve për individët që kanë kontribuar në suksesin e institucionit për më shumë se një dekadë. Rektori Hajrizi vlerësoi lartë në skenë kontributin e 18-të profesionistëve që vepruan bashkë dhe për UBT-nw.
Në këtë moment të veçantë, mirënjohja dhe përkushtimi i stafit u vlerësuan me duartrokitje të ngrohta nga të pranishmit të cilët u ngjitën në skenë për certifikatën e nderit dhe mirënjohjes! Pjesa artistike ishte një ndër pikat kulmore të mbrëmjes.
Nën organizimin e Fakultetit të Muzikës Moderne, Prodhimit Digjital dhe Menaxhmentit, Kori dhe Bendi i UBT-së, nën drejtimin e profesorëve dhe studentëve të talentuar, sollën një program muzikor të pasur me këngë festive si “Carol of the Bells”, “Let it Snow”, “O Holy Night”, dhe shumë performana të tjera me instrumente muzikore të ndryshme.
Interpretimet e studentëve dhe profesorëve krijuan një atmosferë të paharrueshme, duke reflektuar energjinë dhe pasionin që e karakterizojnë UBT-në.
Ceremonia u mbyll me mesazhin e bashkimit dhe shpresës për vitin 2025, ndërsa pjesëmarrësit u argëtuan me një koncert festiv dhe momente të shumta gëzimi. UBT vazhdon të jetë një shembull i lidershipit në arsim, duke përmbushur moton e tij “Leading the Way” në çdo hap. Në mesin e qindra pjesëmarrësve, kjo natë magjike ishte një tjetër dëshmi e përkushtimit të UBT-së për të nxitur suksesin dhe për të krijuar një mjedis që frymëzon brezat e ardhshëm.