Cilësia e lartë e studimeve, indikator i njohjes së diplomave të UBT-së në Gjermani
26/11/2018Tash e 17 vite, UBT është prezantues dhe promovues i cilësisë së arsimit të lartë të Kosovës nëpër botë. Kjo dëshmohet përmes suksesit të ish-studentëve e studentëve tanë aktualë, të cilët po arrijnë të vazhdojnë studimet nëpër universitetet më të mira botërore, falë nivelit paraprak të studimeve të kryer në Kosovë.
Se UBT është referencë e cilësisë në arsim, e dëshmon edhe suksesi i ish-studentit, tash edhe asistent në UBT, Albert Mustafa, të cilit së fundmi i është bërë njohja e dy gradave të shkollimit të përfunduara në UBT, nga institucioni për njohjen e diplomave në Gjermani, Kultusminister Konferenz-Zentrallstele für auslandisches Bildungswesen.
Rëndësia e tërë kësaj qëndron tek fakti që tashmë edhe secilit student tjetër të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, do t’i njihet niveli i shkollimit paraprak, nëse ata do të duan që shkollimin e mëtejshëm ta vijojnë në Gjermani.
Mustafa vlerësoi se i tërë ky sukses është rezultat i punës së madhe që kryhet për dhe me studentët e UBT-së.
“Tërë kjo është meritë e punës që bëhet në UBT, për ndërtimin e një sistemi edukimi dhe një institucioni arsimor i cili njihet ndërkombëtarisht”, theksoi ai.
Për të sqaruar edhe më tej këtë çështje, Mustafa tregoi rëndësinë dhe ndikimin që do të ketë njohja e diplomave të UBT-së nga Zyra Qendrore për Arsimin e Huaj, në Gjermani.
“Kjo është e rëndësishme për faktin se studentët kanë mundësinë që pasi të dërgojnë diplomën e tyre atje, do t’u njihet shkollimi dhe kësisoj mund të punësohen në kompani të ndryshme edhe në Gjermani, normalisht duke përfillur rregullat e përcaktuara nga Oda e Arkitektëve-Architektenkammer”, shtoi ai.
Nën sloganin “Come to UBT, go International”, UBT ka përgatitur e ndihmuar qindra studentë të vet që studimet t’i vazhdojnë nëpër universitete perstigjioze botërore, që kanë besuar në profesionalizimin e UBT-së dhe në nivelin e lartë të përgatitjes profesionale të studentëve që dalin të diplomuar nga institucioni.