Çdo vit, rreth 60 gra preken nga kanceri i mitrës në Kosovë

25/01/2019

Me qëllim të ndërgjegjësimit për parandalimin ose identifikimin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës, Fakulteti i Infermierisë dhe Grupi i Ekspertëve të Shëndetësisë në UBT, kanë organizuar fushatë sensibilizuese dhe kanë mbajtur tryezë diskutimi për të shënuar Javën Evropiane kundër Kancerit të Qafës së Mitrës.

 

Me këtë rast, pjesëmarrësit janë njoftuar profesionalisht lidhur me shkaktarët e sëmundjes, simptomat dhe masat parandaluese.

 

Dafina Gexha nga Grupi i Ekspertëve të Shëndetësisë në UBT, ka theksuar se çdo vit në Kosovë diagnostifikohen 60 gra me kancer të qafës së mitrës, por sipas saj, është sëmundje që mund të parandalohet.

 

Tutje, ajo bëri të ditur se faktorët kryesorë të kësaj sëmundje është pirja e duhanit, numri i madh i shtatzënive, infeksioni i HIV-it etj.

 

“Në disa statistika botërore rreth 18 milionë njerëz në botë sëmuren nga kanceri. Kanceret që i atakojnë më shumë gratë është kanceri i gjirit. Por, në Kosovë çdo vit diagnostifikohen rreth 60 gra me kancer të qafës së mitrës. Në botë çdo ditë, 2 gra humbin jetën për shkak të kancerit së qafës së mitrës. Kanceri i gjirit zbulohet pak më herët ndërsa tek kanceri i qafës së mitrës ka tendencë të neglizhohet prej grave”, potencoi Gexha.

 

Ndërkaq, Merita Kasumi nga Grupi i Ekspertëve të Shëndetësisë në UBT, tha se është e nevojshme që gratë të aplikojnë më shumë Pap Testin, me qëllim të zbulimit të hershëm të këtij lloji të kancerit apo edhe sëmundjeve tjera.

 

“PAP testi është një metodë që kërkon të shkojë tek gjinekologu dhe duhet merren disa qeliza në qafën e mitrës të cilat dërgohen në institutin e patologjisë dhe bëhet analiza e tyre. Në qoftë se kemi shenja që kanë filluar ndryshimet e qelizave, gjinekologu e përcakton se në sa kohë duhet bëhet PAP testi. Ky test tani mund të realizohet edhe në qendra familjare”, theksoi ajo.

 

Ligjëruesja në UBT, Violeta Zefi, deklaroi se ndër faktorët e rrezikut që gratë preken nga kanceri në mitër është edhe infeksioni HIV.

 

Sipas saj, në Kosovë ka raste të shumta që janë të prekur me sëmundjen në fjalë apo me infeksionin HIVAids.

 

“Kosova ka 119 raste me HIV Aids. Ka shumë faktorë që ndikojnë në rritjen e virusit HIV tek mesi i të rinjve. Moshat më të prekura me këtë lloj infeksioni i atakojnë moshës 15 deri në 24 vjeç pasi kjo moshë ka një jetë më aktive seksuale”, tregoi ajo.

 

Gjatë këtij diskutimi u tha se zbulimi i hershëm i kancerit të qafës së mitrës është thelbësor për rritjen e shanseve të shërimit dhe se parandalimi është analiza citologjike ku redukton vdekshmërinë nga sëmundja.