Bashkëpunimi i ri për studentët e Ndërtimtarisë – UBT nënshkruan marrëveshje me Ndërmarrjen Publike Banesore në Prishtinë
24/12/2024Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT dhe Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi, i cili hap një kapitull të ri për bashkëpunimin akademik dhe kërkimor ndërmjet dy institucioneve. Ky Memorandum synon të forcojë lidhjet ndërinstitucionale dhe të krijojë mundësi të reja për zhvillimin e projekteve inovative, si dhe përmirësimin e kurrikulave edukative.
Në kuadër të këtij memorandumi, palët janë dakorduar për një bashkëpunim të ngushtë në disa aspekte kyçe të zhvillimit akademik dhe profesional, me një fokus të veçantë në shkëmbimin e përvojave dhe implementimin e mundësive praktike për studentët e UBT-së. Kjo marrëveshje mbështet zhvillimin e projekteve dhe aktiviteteve shkencore, duke kontribuar në ngritjen e kapaciteteve të stafit të Ndërmarrjes Publike Banesore.
Pikat kryesore të Memorandumit përfshijnë shkëmbimin e përvojave dhe praktikave profesionale për studentët e UBT-së në NPB. Praktikat do të realizohen në përputhje me planin mësimor dhe kërkesat e programeve të lëndëve përkatëse. Po ashtu, UBT do të ofrojë mundësi trajnimi për stafin e NPB-së, duke ndihmuar në avancimin e aftësive profesionale të tij.
Po ashtu, memorandumi parashikon zhvillimin e projekteve kërkimore të përbashkëta, ku të dyja palët do të kontribuojnë për avancimin e dijes dhe teknologjive të reja në fushat e infrastrukturës dhe ndërtimit. Nëse është e nevojshme, palët mund të arrijnë një marrëveshje shtesë për testimin e materialeve në laboratorët përkatës.
UBT do të ofrojë mundësi trajnimesh dhe zhvillimi për stafin e NPB-së, me qëllim ngritjen e kapaciteteve profesionale të punonjësve. Këto trajnime do të zhvillohen në përputhje me një politikë të përbashkët, të miratuar paraprakisht nga të dy institucionet.
Pikë tjetër e përfshirë ishte edhe se si institucionet do të ofrojnë hapësira dhe pajisje të nevojshme për realizimin e qëllimeve të përfshira në këtë memorandum, duke siguruar kushte optimale për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta.
Në përmbyllje të kësaj ngjarje, Visar Krelani, Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës, së bashku me Anton Berishën, kryeshefin e NPB dhe Erand Tahirin, udhëheqësin e Divizionit për Infrastrukturë në NPB dhe ish-student i UBT-së, shprehën angazhimin e tyre të plotë për zhvillimin e këtij bashkëpunimi. Ata u shprehën të gatshëm të vazhdojnë përpjekjet e tyre për ta çuar përpara këtë marrëveshje dhe për të kontribuar në avancimin e industrive të ndërtimit dhe infrastrukturës në Kosovë.
Dekani i Fakultetit, Visar Krelani, duke theksuar intensitetin e bashkëpunimit midis UBT-së dhe NPB-së, theksoi rëndësinë e ofrimit të mundësive për praktika për studentët, përveç punës teorike. Profesori tha se, është thelbësore që studentët të përfitojnë nga praktika në mënyrë që të zhvillojnë aftësitë e tyre profesionale. Krelani nënvizoi se shumë institucione të Kosovës udhëhiqen nga profesorë dhe ish-studentë të UBT-së, të cilët kanë dëshmuar sukses dhe profesionalizëm në fusha të ndryshme.
“Ju përgëzoj për arritjet e jashtëzakonshme dhe për imazhin e fortë që keni ndërtuar si një institucion kredibil. Pas diskutimeve të zhvilluara, jemi të gatshëm dhe entuziastë për të vijuar bashkëpunimin tonë. Ne jemi të hapur dhe të angazhuar, sepse si ndërmarrje kemi nisur të zhvillohemi jashtë modelit tradicional, duke u zgjeruar dhe duke u bërë partnerë kryesorë me institucionet më të rëndësishme në Kosovë. Ky është një hap i rëndësishëm në rrugëtimin tonë drejt një të ardhmeje më të ndritur”, u shpreh kryeshefi i NPB-së Anton Berisha.
Profesorët Hazir Çadraku, Hysen Ahmeti, Edon Maliqi dhe Blerta Retkoceri theksuan rëndësinë e implementimit të praktikës për studentët dhe shprehën mbështetje të plotë për realizimin e këtij bashkëpunimi, duke e konsideruar atë si një mundësi të shkëlqyer për zhvillimin e aftësive praktike dhe profesionale të studentëve. Profesori Çadraku theksoi se beson në koordinimin e çështjeve dhe ngritjen e kapaciteteve të studentëve, sepse përkushtimi ndaj studentëve bën që të mbarten detyra dhe përgjegjësi me profesionalizëm.