ANV e Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore vazhdon aktivitetin me vizita turistike

09/07/2021

Akademia Ndërkombëtare e Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore ditën e tretë dhe të katërt të aktivitetit të tyre e ka vazhduar me vizita në qytetin e Mitrovicës dhe qytetin e Pejës.

 

Fillimisht, në ditën e tretë, ANV e Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore, ka qëndruar në Mitrovicë, nga ku kanë vizituar Muzeun e Qytetit, Muzeun e Kristaleve në Trepçë, Monumentin e Kulturës, Kishën e Shën Pjetrit në Trepçë, teksa kanë qëndruar edhe te Xhamia e Trepçës, Kompleksi i Kullave të Isa Boletinit, si dhe te fabrika e ëmbëlsirave Missini.

 

Pjesëmarrësit e kësaj akademie patën kënaqësinë që bukuritë që ka turizmi i Kosovës t’i shohin edhe në ditën e katërt, nga ku vizituan qytetin e bukur të Pejës. Vizita filloi me Ujëvaren e Drinit, për të vazhduar me Muzeun e Qytetit të Pejës, zyrën e turizmit, teksa përmbylljen e vizitës turistike të ditës së katërt, Akademia Ndërkombëtare Verore e Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore, e ka bërë me vizitën në Grykën e Rugovës.

 

Akademia Ndërkombëtare Verore e Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore, e cila po zhvillohet në kuadër të festivalit ndërkombëtar të dijes, “Global UBT Fest 2021”, është duke kontribuar në informimin për situatën aktuale të turizmit dhe trashëgimisë kulturore, si dhe rreth mundësive për zhvillim të mëtejshëm të këtij sektori.