ANV e Shkencave të Sportit dhe Lëvizjes fillon aktivitetin me ligjërata nga ekspertë ndërkombëtarë

13/07/2021

Akademia Ndërkombëtare Verore e Shkencave të Sportit dhe Lëvizjes ka filluar aktivitetin e saj në kuadër të festivalit ndërkombëtar të dijes, “Global UBT Fest 2021”, me pjesëmarrjen e profesorëve dhe ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë.

 

Hapjen e Akademisë Ndërkombëtare Verore të Shkencave të Sportit dhe Lëvizjes e ka bërë rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, së bashku me profesorin dhe ekspertin ndërkombëtar, Paolo Parisi.

 

Rektori Hajrizi ka nisur këtë akademi verore duke shtjelluar dhe folur më shumë rreth idesë së zhvillimit të sportit përmes UBT-së, për planet e së ardhmes dhe çështje të tjera që ndërlidhin sportin me UBT-në.

 

Profesori i njohur ndërkombëtar, Paolo Parisi ka vazhduar ligjërimin rreth shëndetit, plakjes dhe mënyrës së jetesës, ndërkaq profesori tjetër ndërkombëtar, Norbert Bachl ka mbajtur një diskutim me të pranishmit rreth sporteve të personalizuara, si dhe mjekësisë së ushtrimeve si një sfidë për menaxhimin e shëndetit në të ardhmen.

 

Ligjërimin e ka vazhduar në formën online, profesori Antonio Tessitore, me temën: “Recreational Team Sports and Health”, duke ndarë njohuri nga përvoja dhe ekspertiza e tij sa i përket kësaj fushe. Nga ana tjetër profesori Harald Tschan, ka ngritur një tjetër çështje me interes në këtë fushë, e që është performanca e stërvitjeve dhe mënyra se si të kemi një performancë më të mirë.

 

Për ndërkombëtarizimin e sistemit universitar si një mundësi për parandalimin e eksodit intelektual në Ballkanin Jugor, ka folur rektori i Universitetit të Sporteve të Tiranes, prof. Agron Kasa, temë e cila zgjoi interesim për të gjithë pjesëmarrësit.

 

Dita e parë e Akademisë Ndërkombëtare Verore të Shkencave të Sportit dhe Lëvizjes u përmbyll me interaktivitet mes të pranishmëve, duke nxjerrë konkluzione rreth temave që u diskutuan nga ligjëruesit dhe profesorët.