Anesa Mustafa, shembulli i studentes që përfitoi nga partneriteti ndërkombëtar i UBT-së

17/09/2018

Kalimi nga UBT në Anhalt University of Applied Sciences ishte një rrugëtim që i ndryshoi jetën përgjithmonë ish-studentes së UBT-së, Anesa Mustafa.

Sikurse edhe shumë të rinj që ëndërr jetësore e kanë shkollimin jashtë vendit, Anesa arriti që këtë dëshirë ta shndërrojë në realitet, dhe atë, me sukses të jashtëzakonshëm.

 

Ajo është studente e Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, ku i përfundoi studimet e nivelit bachelor dhe i mori bazat e profesionit të arkitekturës. Megjithatë, dëshira për të përjetuar një përvojë të re dhe që do e kompletonte ndërtimin e karrierës së saj, bëri që ajo të aplikonte në universitetin e njohur gjerman, Anhalt University of Applied Sciences, prej ku do të marrë idetë dhe njohuritë mbi stilin e punës së arkitekturës nëpër vendet e përparuara të Evropës, përvojë të cilën do e nisë nga tetori i këtij viti.

 

Por, synimi i saj nuk është vazhdimi i një karriere në Gjermani, por kthimi dhe dhënia e kontributit për Kosovën.

“Unë personalisht vazhdimin e studimeve në Gjermani e shoh si një mundësi jashtëzakonisht të mirë për mua, për kolegët e mi, por edhe për vendin tonë në përgjithësi, sepse patjetër që synim kryesor i imi është përgatitja sa më e mirë e mundshme në aspektin profesional, në mënyrë që të gjithë këtë përgatitje profesionale ta shndërrojmë në resurs për vendin dhe shoqërinë tonë”, u shpreh Anesa.

 

Përpos studimeve të nivelit bachelor, në UBT ajo nisi studimet edhe për nivelin master, kur edhe falë bashkëpunimit të ngushtë mes UBT-së dhe Anhalt University of Applied Sciences, asaj i është mundësuar transferimi atje.

“Falë bashkëpunimit të madh që UBT ka me Universitetin Anhalt, dhe jo vetëm, ka arritur të krijojë mundësi shumë të mira dhe t’i hapë dyert e suksesit për të gjithë studentët e vet. Kjo madje është edhe një dëshmi dhe ndihmesë shumë e madhe për të gjithë studentët e rinj që të zgjedhin UBT-ne si institucionin ideal për studimet e tyre të mëtutjeshme”, vlerësoi Anesa.

 

Ndikim të madh në suksesin e Anesës kanë pasur edhe profesorët e saj, të cilët kanë shfaqur gatishmëri dhe i kanë dhënë asaj përkrahje në çdo moment.

“Kemi qenë të mirëpritur dhe të respektuar në Anhalt Univeristy, falë partneritetit të mirë që ka UBT me këtë universitet. Sikurse gjatë periudhës së studimeve, edhe kësaj here, profesorët tanë kanë vërtetuar edhe njëherë gatishmërinë e tyre, duke u bërë mbështetësit tanë më të mëdhenj edhe gjatë këtij procesi”, tha ajo.

 

Momentalisht, studimet e tyre në Gjermani, më saktësisht në Anhalt University of Applied Sciences, po i vijojnë dhjetëra studentë e ish-studentë të UBT-së, dhe kjo falë jetësimit të bashkëpunimit me institucioneve, prej të cilit përfituesit më të mëdhenj janë studentët.