Ambasadori Lulzim Pllana në UBT: Diplomacia kosovare dhe rrugëtimi drejt njohjes ndërkombëtare

04/12/2024

Ambasadori i Kosovës, Lulzim Pllana, vizitoi UBT-në dhe diskutoi mbi historikun e diplomacisë kosovare dhe konsolidimin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ky diskutim, i organizuar nga Fakulteti i Shkencave Politike në UBT, ofroi një mundësi unike për studentët që të mësojnë nga përvoja diplomatike e Ambasadorit Pllana. Ai theksoi se diplomacia e Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, është përqendruar në përpjekjet për të fituar afirmim ndërkombëtar dhe për t’u vendosur si një shtet sovran dhe aktiv në arenën globale.

Kosova ka arritur përparime të dukshme në ndërtimin dhe thellimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, veçanërisht në zgjerimin e rrjetit të diplomacisë, ambasadave në hemisfera të ndryshme. Njëkohësisht, janë intensifikuar përpjekjet për anëtarësime në organizata ndërkombëtare, duke kontribuar në integrimet rajonale dhe globale, veçanërisht në Këshillin e Evropës, BE dhe NATO.

Megjithatë, sfidat mbeten të mëdha. Serbia, Rusia dhe disa vende të tjera në gjeopolitikë vazhdojnë të kundërshtojnë sovranitetin e Kosovës dhe vazhdojnë të mbesin kërcënim për vendin dhe rajonin. Ambasadori Pllana theksoi se suksesi i ardhshëm diplomatik i Kosovës do të varet nga aftësia për të lundruar në këto sfida, duke siguruar prezencë të gjerë diplomatike dhe si partner evropian i barabartë, i angazhuar për paqe dhe stabilitet.

Në fund, ai theksoi rëndësinë e vazhdimit të reformave demokratike, stabilitetit rajonal dhe përkushtimit të Kosovës ndaj aspiratave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe organizata të tjera ndërkombëtare, duke nënvizuar se këto janë shtyllat kryesore për të ardhmen e diplomacisë kosovare.

Shkroi: Edi Miftari, student i Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT