Ambasadori Kryeziu takoi studentët e UBT-së që përfituan bursa studimi në Portugali
02/03/2020Ambasadori i Kosovës në Portugali, Ylber Kryeziu ka pritur në takim studentët e UBT-së që kanë përfituar bursë për vazhdim të studimeve në Universitetin “Nova de Lisboa”, në Portugali, Emin Emini, Egzon Hasi, Lumbardh Elshani dhe Behar Haxhismajli.
Ambasadori Kryeziu u ka uruar suksese në studimet në fushën e IT-së, teksa tha se ata do të specializohen në universitetin më të mirë të kësaj lëmie.
“Po rritet numri i studentëve nga Kosova në Portugali. Kisha nderin t’u uroj suksese, kësaj radhe, inxhinierëve të rinj nga Gjilani, Drenica, Gjakova që do të ndjekin studimet post-diplomike në Universidade NOVA de Lisboa, më të mirin për IT, këtu në Lisbonë”, theksoi ambasadori i Kosovës në Portugali, Ylber Kryeziu.
UBT tashmë ka partneritet me 450 universitete prestigjioze dhe institucione ndërkombëtare, dhe si institucion po shërben si shteg nëpër të cilin po kalojnë studentët e UBT-së, për të përjetuar ndjenjën e të qenit pjesë e universiteteve më të njohura botërore, karshi studentëve nga e tërë bota.