Aktivitete të shumta kanë karakterizuar Akademinë Verore për Ekonomi, Financa, Bankë dhe Sigurime
11/07/2024Aktivitete të shumta kanë karakterizuar Akademinë Verore për Ekonomi, Financa, Bankë dhe Sigurime, në kuadër të Global UBT Fest.
Akademia u hap zyrtarisht nga profesori Kestrim Avdimetaj, i cili theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së studentëve në këtë akademi. Ai theksoi që të pranishmit kanë mundësi të përmirësojnë kuptimin e tyre për financat, treguesit makroekonomik, ekonominë e qëndrueshme, tregjet financiare, si dhe institucionet bankare.
Profesor Zef Dedaj, i cili aktualisht është drejtor i Agjencisë Shtetërore për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), mbajti një ligjëratë para studentëve. Ai diskutoi për arritjet ekonomike të Kosovës, përfitimet e investimeve, kornizën ligjore dhe mbështetjen në dispozicion për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë. Ndërsa, profesor Shpresim Vranovci eksploroi më tepër për teknologjitë e reja në industrinë bankare. Leksioni i tij mbuloi bankat digjitale, blockchain dhe kriptovalutat.
Në pjesën e parë ishte i pranishëm Sazan Ibrahimi, drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK). Ai i angazhoi studentët me një diskutim mbi financimin e komunave në Kosovë dhe investimet kapitale.
Në pjesën e dytë, Prof. Artan Haziri mbajti një ligjëratë tematike për kontabilitetin. Ai ka diskutuar për ndryshimet e fundit në procedurën tatimore të Kosovës. Një fokus i veçantë iu kushtua standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit dhe parimeve të raportimit financiar në aspektin praktik.
Në ditën e dytë të punëtorisë në pjesën e parë ligjëroi drejtori i degës së bankës NLB në Prizren, Fatmir Gashi, i cili para të pranishmeve trajtoi temën rreth zhvillimit të sistemit financiar dhe ndikimi i tij në rritjen ekonomike, më theks të veçantë Kosovën.
Ndërsa në pjesën e dytë, Prof. Ermal Lubishtani, trajtoi parashikimin e rritjes ekonomike nëpërmjet modeleve ekonometrike, ku theksoi rolin e ekonometrisë në parashikimin e indikatorëve ekonomik si dhe krijimin e modeleve ekonometrike, që bazohen në pjesën e ekonomiksit, teorisë ekonomike, matematikës, si dhe statistikës.