Përmbyll aktivitetet Akademia Ndërkombëtare Verore e Artit dhe Medias Digjitale

28/07/2022

“For the love of art” ka qenë tematika, e cila ka karakterizuar Akademinë Ndërkombëtare Verore të Fakultetit Art dhe Media Digjitale në UBT, në kuadër të “Global UBT Fest 2022”, e cila ka bërë bashkë studentë, profesorë dhe ekspertë të fushës së artit dhe medias digjitale.

 

Në edicionin e sivjetshëm, Fitore Isufi ka zhvilluar një ligjëratë tematike rreth temës: “Përjetësimi i objekteve arkitektonike përmes kujtesave kolektive”, teksa Vesa Bunjaku dhe Debora Deva kanë realizuar dy punëtori “Mes imagjinatës dhe realiteteve konkrete” dhe “Tregimi në Art dhe Media Digjitale”, duke iu ofruar studentëve dhe pjesëmarrësve njohuri të reja dhe përvoja personale.

 

Ndër të tjera, profesori Dardan Luta ka zhvilluar një punëtori me temën: “ESE VIZUAL”, teksa profesori Gazmend Ejupi ka realizuar një punëtori rreth temës: “Curating the Curator”, duke iu shpjeguar studentëve rreth punës së një kuratori dhe detyrave të tij, si dhe profesori Burim Berisha ka zhvilluar një punëtori rreth temës: “DIGITAL CLAY – VR SCULPT”.

 

Studentët dhe pjesëmarrësit e tjerë në këtë akademi, përmes ligjëratave të zhvilluara dhe punëtorive kanë përforcuar njohuritë e tyre rreth fushës së artit dhe kulturës, si dhe kanë pasur mundësi të praktikojnë gjëra të ndryshme në bazë të aktiviteteve që janë zhvilluar.