Akademia verore ndërkombëtare „Citizen’s Diplomacy”

27/07/2015

27 korrik. – Në kuadër të organizimeve verore të akademive në fusha të ndryshme studimore, UBT në bashkëpunim me FES, në vitin e dytë të bashkëpunimit, kanë organizuar Akademinë verore ndërkombëtare „Citizens’ Diplomacy“. Interesimi për pjesëmarrje ishte i madh, duke pasur pjesëmarrës edhe nga Serbia, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj. Mbi 70 të rinj ishin pjesë aktive e Akademisë verore, në të cilën kanë ligjëruar profesionistë nga vendi dhe nga bota, ndër to, profesorë eminentë nga Kosova dhe Shqipëria, Ambasadorë, diplomatë kosovarë, politikëbërës etj. Përveç pjesës përmbajtësore atë të ligjëratave dhe workshopeve, aktiviteti kishte edhe një dimension të larmishëm kulturor, ku pjesëmarrësit patën rastin të njihen më nga afër me dy qytetet kryesore të Kosovës, Prishtinën dhe Prizrenin.

 

Gjatë aktivitetit janë trajtuar tema me rëndësi që përfshijnë këtë nënfushë të diplomacisë, e cila daton qysh nga koha e fillimit të Luftës së Ftohtë. Nga të pranishmit dolën këto përfundime: kjo lloj diplomacie është e nevojshme për të mbajtur lidhjet mes vendeve dhe popujve përtej dimensionit bilateral mes shteteve; proceset e pajtimit dhe paqes bëhen më të plota me angazhimin e qytetarëve në diplomaci; efekti i globalizimit e bën të domosdoshme këtë lloj diplomacie; rajoni ynë ka nevojë që, përtej komunikimit mes qeverive, të shtrijë edhe dimensionin e qytetarëve, për të bërë më të qëndrueshëm stabilitetin rajonal, në procesin aktual të dialogut Kosovë-Serbi, duhet përfshirë edhe qytetarët me qëllim që marrëveshjet e arritura të kenë mbështetje më të gjerë popullore.

 

Kjo akademi verore do të shndërrohet në platformë rajonale për diplomacinë qytetare ku do të trajtohen temat e ndryshme të diplomacisë, pajtimi, paqeja dhe do ketë një fokus të madh edhe në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm fetar. Partnerët e këtij aktiviteti, UBT dhe FES do ta zgjerojnë bashkëpunimin, për të ndërtuar një projekt më të madh atë të South Eastern Europe Citizens’ Diplomacy Program, që do të shërbejë si mekanizëm kyç për të rritur bashkëpunimin mes të rinjëve dhe qytetarëve në Evropën Juglindore.

 

 

Me rastin e përfundimit të Akademisë, organizatorët duan të falënderojnë edhe mediat e pranishme në aktivitet, të cilat kanë mbuluar këtë ngjarje, duke i dhënë vlerë të shtuar këtij bashkëpunimi. Njëherit në ditët në vazhdim do të përgatitet edhe një material më i plotë lidhur me gjithë Akademinë verore ndërkombëtare ”Citizens’ Diplomacy”, e cila do të shpërndahet për gjithë të interesuarit.