Akademia Verore e Turizmit në UBT – fokusi kryesor në Albturizëm
23/07/2024Fakulteti i Turizmit në UBT ka hapur zyrtarisht Akademinë Verore në kuadër të edicionit të sivjetmë të Global UBT Fest. Ceremonia e hapjes, e drejtuar nga koordinatori Prof. Dr. Kushtrim Dreshaj, shpalli fillimin zyrtar të akademisë.
Në këtë ngjarje morën pjesë stafi akademik nga Fakulteti i Turizmit në UBT dhe Prof. Dr. Brunilda Licaj nga Universiteti Aleksandër Moisiu në Durrës, e cila mbajti një ligjëratë mbi Rolin e Albturistit në Zhvillimin e Turizmit. Gjithashtu, ngjarja tërhoqi pjesëmarrës të shumtë dhe njohës të fushës së turizmit.
Në ditën e dytë të akademisë, stafi akademik nga Fakulteti i Turizmit UBT, Prof. Dr. Kushtrim Dreshaj dhe Prof. Dr. Fatmire Shala, morën pjesë në prezantimin e dokumentarit “Peeping Tourist” në Tiranë dhe diskutuan mbi Albturizmin si Ndërmarrje Tregtare.
Prof. Dr. Brunilda Licaj mbajti një ligjëratë për Albturizmin, duke ofruar një analizë të detajuar pas prezantimit të dokumentarit. Gjithashtu, u prezantuan fotografitë e pesë fotografëve ndërkombëtarë të Magnum Photos: Alex Majoli, Carl de Keyzer, Enri Canaj, Martin Parr dhe Nikos Economopoulos, duke sjellë një perspektivë vizuale të ndryshme mbi turizmin.
Akademia Verore Global UBT Fest vazhdon të ofrojë mundësi të reja për shkëmbimin e ideve dhe zhvillimin profesional në fushën e turizmit, duke sjellë së bashku ekspertë dhe profesionistë nga e gjithë bota.