Akademia Verore e Edukimit dhe Gjuhës Angleze filloi aktivitetet e saja me Shkollat e Gjuhës Angleze “Infinit” dhe “Sidi Education”

14/07/2023

Fëmijët kanë pasur mundësi të praktikojnë aftësitë e tyre të Gjuhës Angleze duke u bërë pjesë e aktiviteteve në klasë me mjete të ndryshme vizuale dhe aktivitete kinestetike, gjithashtu edhe lojëra argëtuese që inkurajojnë të menduarit kritik dhe nxisin zhvillimin e lëvizjeve motorike. Fëmijët mësuan, u argëtuan, dhe fituan dhurata të ndryshme të mbështetura nga sponsorët tanë.

Stafi punues i Akademisë Verore të Edukimit dhe Gjuhës Angleze ishte i përbërë nga: Dr. Alma V. Lama, Dr. Eglantina Bilalli, Dr. Donjetë Latifaj, Dr. C Trëndëlinë Halitaj, MSc Rina Sefiu dhe MSc Adea Haxhiavdyli, të cilët punuan dhe u angazhuan për të sjellë diçka unike dhe kreative për të gjithë pjesëmarrësit.

Akademia Verore e Edukimit dhe Gjuhës Angleze hapi programin e saj me temën: “21 st Century Educational Solutions to Challenges”, të ndarë nga Prof. Alma. V. Lama. Fakulteti Gjuhë Angleze priti një grup pedagogësh me studentë nga Universiteti “Fan S. Noli” i Korçës, departamenti i Gjuhës dhe Kulturës nën drejtimin e koordinatores, Dr. Juliana Çyfeku, bashkë me një skuadër mjaft të përgatitur, ku nëpërmjet punëtorive të ndryshme shpalosën njohuritë dhe vlerat e tyre në fushën e edukimit dhe Gjuhës Angleze.

U diskutua edhe për sfidat që arsimi has në ditët e sotme dhe se çfarë mund të bëhet që t’i tejkalojmë ato. Pjesë e kësaj akademie ishte edhe përfaqësuesi nga “Peace Corps”, Z. Elias Allen, i cili ndau njohuritë e tij lidhur me rëndësinë e zhvillimit të mendimit kritik në klasa.

Akademia verore gjithashtu zhvilloi edhe një orë letrare të përgatitur nga studentët e Fakultetit të Gjuhës Angleze, me tekste nga autorë që studentët kanë pasur mundësi t’i studiojnë në lëndën e Letërsisë nga Prof. Halil Bashota.

Si me fëmijët edhe me të rriturit, dhuratat dhe shpërblimet nuk munguan të cilat ishin siguruar nga sponsorët e akademisë: Albakos, Hamilton House, Sidi Education, Educational center, ShPK Geo-Ds, uji Dea, e të tjerë. Të gjithë këta mbështeten akademinë verore me libra, fletore, stilolapsa, bluza, ujë dhe ushqim.