7 Marsi – Dita e Mësuesit në UBT
07/03/2024Dita e Mësuesit dhe Dita e Shkollës u shënua me një program kulturor në shkollat e UBT-së, në të cilin morën pjesë përfaqësues nga stafi i UBT-së, Bordi i shkollës, prindër, mësimdhënës dhe nxënës.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, foli për rrugëtimin historik të shkollës së parë shqipe, për sakrificat e mësimdhënësve ndër shekuj, për punën dhe përkushtimin e tyre, duke prezantuar faktet meritore të punës së tyre dhe duke e lartësuar emrin e tyre sa më lart. Gjithashtu, potencoi rolin e shumëfishtë të mësimdhënësve në zhvillimin e komponentës edukative, arsimore, sociale, njerëzore e humane, të cilat ndërlidhen me zhvillimin e tërësishëm të nxënësve.
“Pavarësisht zhvillimeve të shumta teknologjike, roli i mësimdhënësit është i pazëvendësueshëm në punën me nxënës, duke marrë parasysh kohën e qëndrimit të nxënësve në shkollë, interferimet, bashkëveprimin dhe aspektet tjera ndërlidhëse në punën me nxënës. Bazuar në këto fakte dhe në ofrimin e edukimit sa më cilësor ne jemi duke marrë përvoja të mira nga shtetet evropiane dhe amerikane”, shtoi Rektori Hajrizi.
Gjithashtu, në fjalën e saj, Drejtoresha Hajrije Devetaku Gojani potencoi rëndësinë e dyfishtë të 7 Marsit për shkollat e UBT-së, nisur nga fakti se përvjetori i shkollës së parë shqipe ndërlidhet me përvjetorin e shkollave të UBT -së.
“Pikërisht në përvjetorin e themelimit te arsimit shqip dhe shkollës së parë shqipe, UBT themeloi shkollat parauniversitare të UBT -së, si një nga hallkat e rëndësishme të ekosistemit të saj”, tha Drejtoresha Hajrije.
Po ashtu, ajo vuri ne pah rolin e rëndësishëm të mësimdhënësve në shoqëri, në edukimin dhe arsimimin e nxënësve duke e potencuar faktin e zhvillimit te mirë e të shëndoshë të shoqërisë përmes rrugës së edukimit cilësor.
Në fjalën përmbyllëse të saj, Drejtoresha Hajrije Devetaku Gojani shprehu mirënjohjen e thellë për punën e mësimdhënësve dhe në emër të shkollave të UBT-së u zotua për edukim cilësor dhe për rezultate në mësim, me theks të veçantë për rezultate të matshme, të arritshme dhe të krahasueshme në nivel ndërkombëtar.